Jo vetëm “Parole”-Shkruan: Agnesa Thaçi KUREJSHI

.

Zgjedhjet n’fillim këtij viti shënuan një momentum të ri politik me pjesëmarrje të lartë dhe konkurrencë të ashpër mes partive politike megjithatë rezultati prodhoi një periudhë me paqartësi institucionale.

Vakumi institucional pas zgjedhjeve të 2025 dëshmon se demokracia nuk garanton vetvetiu stabilitet institucional sepse stabilitetin e bëjnë akterët publik me vullnet të mirë politik për interesa shtetërore.

Mungesa e dialogut konstruktiv mes institucioneve kushtetuese, mungesa e konsensusit parlamentar si dhe diskursi politik pas zgjedhjeve kanë sjellë një klimë tensioni të vazhdueshëm  duke pamundësuar kësisoj kuorumin për çështje të rëndësishme dhe punën e Kuvendit si dhe në formimin e qeverisë dhe nëse vazhdon bllokada politike dhe institucionale ekziston rreziku që Kosova të humbasë momentumin e saj në integrimin evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që mund ta shpije drejt izolimit diplomatik.

Andaj, Kushtetuta duhet të qartësojë kompetencat e institucioneve për të shmangur interpretimet e dyfishta që mund të sjellin përplasje politike ku çështjet madhore të kenë mundësi të diskutohen përpara se të shndërrohen në kriza. Në këtë rast duhet të rishikohet modeli aktual zgjedhor për të shmangur fragmentimin dhe për të lehtësuar formimin e qeverive stabile të përkushtuara ndaj interesit publik si dhe institucioneve të qëndrueshme

/QendraPress/