Fryma poetike e së dielës me poeten;- Rudina Muharremi BEJA

PËRQAFIMI I HESHTUR

————————————-

Nëna gjerb kafenë ngadalë,

në pragun e ditës që tretet në ar,

ndërsa dielli pikon si mjaltë i qetë

mbi dritaren e vjetër.

Sytë i ndizen nga buzëqeshjet

e atyre që zemrën ia veshin

me ngrohtësi,

si shall i padukshëm dashurie.

Lulet e oborrit qeshin me të,

shkallët,

gjethet kërcejnë si fëmijë lozonjarë,

e kalldrëmi, ruajtës besnik i hapave të saj,

përkulet në heshtje, si në lutje.

Nga përballë,

një përqafim shtrihet,

i ngrohtë,

i papritur,

si puhiza e parë e vjeshtës

që ledhaton faqet e saj të buta,

në forma të çuditshme,

ndoshta si mall,

ndoshta si kujtim që flet me heshtje…

/QendraPress/