Kënga e lotit

————————-

Unë kam sy, jam aty,

në tokë të shenjtë, për të shkruar;

në heshtje, për të të parë ty,

thërras yjet për të vallëzuar.

Nuk e di se çfarë kam shkruar,

i frymëzuar nga buzët e tua,

nga gjinjtë që digjeshin si shpuza,

as vetë s’e mbaj mend ç’ndodhi me mua.

Vargjet e mia ikën, të ëmbla e të brishta,

s’di kur do kthehen prapë tek unë;

fluturuan ato si shkëndija,

drejt trupit tënd që shndrit.

Ah, vargjet e mia nuk mjaftojnë,

ndaj ti pyete lotin e natës dimërore

për poetin që shpirti ia çmendi,

kur për një çast pena iu bë dashnore!

Unë të shkruaj pa bujë, pa zë,

të vijë tek ti si këngë e mall,

që dy fjalë t’i flasësh me të,

të vërtetoj se brenda ka zjarr!

/QendraPress/