Çaste poetike me poeten;-Migel FLOR

Gurë historie-Gjyshja çame

———————————-

Në duart e saj koha nuk ishte kalendar,

por plagë që mësonte të heshtte.

Gjyshja ime çame e mbante historinë

në pëllëmbë si një gur të nxehur

nga dielli i Janinës.

Në rrudhat e ballit rrinin

të fshehura rrugët e ikjes,

karvanët e dhimbjes dhe

zërat e fëmijëve që mbetën

pas si jehonë në male.

 Ajo nuk qante shpesh

Lotët i kishte kthyer në gurë kujtese.

“Mos i harro,” më thoshte, “

se gurët e shtëpisë sonë janë

më besnikë se kufijtë.”

Kur ndizte zjarrin në oxhak

dukej sikur thërriste

hije të vjetra: emra fshatrash,

porta që nuk u hapën më,

aroma bukësh që u ftohën në mërgim.

Gjyshja ime çame ishte një

bibliotekë pa libra:

në sytë e saj rrinte një det i trazuar,

në zërin e saj një këngë që s’plakej.

 Dhe unë, sa herë prek një gur të vjetër,

më duket se prek dorën e

saj që më thotë në heshtje:

“Historia nuk shkruhet vetëm në libra,

 ajo jeton në gjakun që nuk harron.”

/QendraPress/