Çaste poetike me poetin;-Rexhep F. MORINA

HIPOKRITI GËNJESHTAR

—————————————

Kudo nëpër tubime, që nga protesta e parë,

Klithte për reforma, jepte premtime me radhë.

Ambicia im thoshte: t’zezën ta bëjë të bardhë,

Që se bëri kurrë, mbeti një mashtrim i madh.

Sa herë bënte ndonjë vizitë, e mbante fjalime,

Kërkonte transformim, e rrugë për ndryshime.

Ëndrra ime thoshte: është bashkimi kombëtar,

Që se bëri kurrë, ky hipokriti ynë gënjeshtar.

Kur e gjente rastin, të shprehte pakënaqësinë,

Trumbetonte për zhvillimet, e për ekonominë.

Qëllimi im thoshte: t’a ndali në shtet hajninë,

Që se bëri kurrë, veç dëshmoi megalomaninë.

Tre mandate në pushtet, masën e joshte me hir,

Dërdëlliste gjepura, e për qeverisjen më të mirë.

Dëshira ime thoshte: t’i sjell vendit përparimin,

Që se bëri kurrë, por e rriti në masë zhgënjimin.

/QendraPress/