Çaste poetike me poten;-Kumrie Avdyli SHALA

LUMTURIA DHE VDEKJA NUK BLIHEN
———————————————–
Sa shumë të deshta,
një ditë ta pata thënë,
se shumë e lumtur do të isha po ta
jepja frymën e fundit në prehrin tënd.
Por nganjëherë kisha një parandjenjë se:
Duart e tua janë mësuar t’ua mbyllin sytë
atyre që të deshën fort.
Ndoshta as këtë nuk e ke harruar,
kur u përgjërova se nuk do të të harroj kurrë,
duke menduar se lumturia ime
ishte gëzimi i shpirtit tënd.
Por për ty ishte e kundërta.
Nuk i përballoje dot dashuritë e sinqerta e të çiltra,
sepse ushqimi yt i parapëlqyer
ishte vetëm vuajtja e të tjerëve.
U pa qartë njerëzorja jote:
Ata që ta deshën shpirtin,
i përgojove, i përbuzje,
i poshtërove.
Prisje ushqim nga vuajtjet e tyre,
se arritjet e tyre nuk mund t’i përballoje dot.
U largove pa fjalë si zvarranik,
ike me bisht nën shalë, pa asnjë arsye të vetme.
Eh, e di se po pret me gëzim të ma urosh
lamtumirën e fundit edhe mua,
Por nuk e di nëse do të jesh ai fatlum që
do ta vazhdosh jetën pas tri ditësh,
sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Si mund të emërtohet kjo krijesë?
Zemër e ftohtë apo zemër guri?
Njeri pa ujë në sy?
I dashur vetëm për veten e tij?
Apo njeri që kurrë nuk e njohu ç’është lumturia?
Sepse çdo gjë mund të blihet me të holla,
përveç vdekjes dhe lumturisë, kurrë!
/QendraPress/