Çaste poetike me poeten;- Emine Konushevci DURMISHI

PËRJETËSI NË BRONZ
———————————
Nënëlokja zbret në Sheshin e Lirisë,
e rënduar nga vitet që s’kthehen më;
në shpirt mban një plagë të gjallë,
e duart e saj — të mbushura me mall.
Zemra i bie si kambanë në muzg,
mbi një kohë që u tret në pritje;
dhe përballë, si një dritë në horizont,
i shfaqet biri — i ngrirë në bronz.
Në sy i ndizet një dritë e largët,
ku jeta kthehet ngadalë në kujtim;
ai s’flet, s’lëviz, s’merr frymë,
por heshtja e tij ka zë pa mbarim.
Ajo afrohet si një hije e vonuar,
pa hap në kohë, pa zë, e sy si det,
dhe dora e saj, që dridhet lehtë,
prek një fytyrë që s’plaket në jetë.
“Erdhe, bir…” — i pëshpërit shpirti,
si shkëndijë që çan hijen e errësirës;
edhe kështu, ti erdhe prapë,
mbi gjakun e veshur me petk lirie.
E puth gjatë, sa vetë pritja e saj,
sa vitet që u bënë një frymë e vetme;
dhe për një çast bronzi s’është metal —
është njeri që dëgjon e flet pa fjalë.
Në Sheshin e Lirisë koha ndalet,
kujtesa nuk ikën më prej aty;
ai rri, ka shtëpinë në heshtje,
dhe bronzi bëhet përjetësi.
/QendraPress/