Çaste poetike me poeten:- Jetina BUSHI

Puthja e trëndafilit

————————————

Në kopshtin e heshtur ku shpirti po pret,

Një dhimbje e ëmbël ngadalë po lind,

Dashuria nuk është fushë që preket lehtë,

Është një zjarr që të djeg,

është një dallgë që të bind.

Do t’i ujisja trëndafilat me lotët e mi,

Në çdo pikë që bie, një pjesë timen fal,

Të ndjej se si dhëmbin ata gjemba në gji,

Ku çdo plagë e vogël, kthehet në një mall.

Mbi lëkurë le të mbesë ajo gjurmë e nxehtë,

Se pa njëcikë vuajtje, asgjë s’ka kuptim,

Në këtë botë të ftohtë ku koha po ikën shpejt,

Një gjëmb është dëshmitar

për këtë shpirtin tim.

Dhe pas asaj dhimbjeje që trupin përpin,

Kur loti t’u falet rrënjëve pa kthim,

Puthja e kuqe e petaleve do vijë,

Si paqja më e bukur, si i vetmi shpëtim.

JETINA BUSHI

/QendraPress/