Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

ANAMNEZË E NJË KOHE TË HELMUAR
————————————————-
Koha nuk vdes, ajo vetëm ndërron fytyrën
dhe ulet në tryezën e historisë
si një plak që mban në sy
varret e së nesërmes.
E nesërmja na pret, me një faqe gjysmë të bardhë,
por dikush i ka derdhur mbi të, bojën e mashtrimit,
dhe ne shkruajmë me gishta, emrat e fajit.
Ligësia nuk vjen më me shpata; ajo ka mësuar të buzëqeshë,
të veshë kostumin e arsyes, të flasë në emër të dritës.
dhe të mbjellë terrin, në oborret e ndërgjegjes.
Helmi i kohës, nuk pihet më në gota, ai qarkullon nëpër fjalë,
nëpër shikime, nëpër heshtje të blera, derisa shpirti,
harron shijen e së vërtetës.
Dhe diellit, i kanë ngritur prita, edhe dritës.
Në çdo rrugë, një hije i pret rrezet, në çdo shesh,
një turmë shet të vërtetën, me kilogramë, ndërsa gënjeshtra,
shitet si bukë e ngrohtë.
Korbat kanë thirrur dasmë mbi çatinë e qytetit,
dhe kënga e tyre, ka hyrë nëpër shtëpi
si një erë e zezë, që nuk di nga të dalë.
Të mëdhenjtë, hanë të vegjlit e tyre,
si kohë që ushqehet, me fëmijët e së ardhmes.
Dhe njeriu, njeriu ka filluar të ketë frikë nga pasqyra,
sepse aty, nuk sheh më fytyrën e vet, sheh një të huaj,
që e ka mësuar, të jetojë pa ndërgjegje.
Mot i ligë, ka rënë mbi mendim,
edhe ëndrrat, kanë fikur kandilat,
jo pse nata u bë më e zezë, por sepse duart tona,
harruan si ndizet drita.
Shpresa ecën zbathur, nëpër rrënojat e shpirtit,
mbledh copat e veta, dhe pyet kohën
a ka ende një vend
ku njeriu mund të mbetet njeri.
Por udhët ikin, rët kokojnë, pas njëra-tjetrës
si dele të trembura, dhe koha, me lakun në dorë,
na kap nga pas, pa na pyetur, nëse jemi gati për të ardhmen.
Secili i hedh grepin tjetrit, sikur jeta të ishte,
një lumë grabitqarësh, dhe askush nuk e kupton
se peshku i fundit që do të mbetet në ujë, mund të jemi ne.
Virtytet, na kanë braktisur ngadalë, si zogj që largohen
nga një pemë, kur ajo nuk jep më hije.
Dhe ajri, edhe ajri ka filluar të mbajë erë shafrani,
një aromë e bukur, mbi një helm të padukshëm.
Pak kush ka mbetur, pa e marrë virusin e ligësisë.
Të sëmurët, quhen të mençur, të ndershmit, quhen naivë,
dhe ai që nuk përkulet, shpesh mbetet vetëm
përballë një bote, që e ka harruar,
ku fillon shtylla kurrizore e njeriut.
Ndoshta prandaj, lum ai që iku, pa e shitur shpirtin.
Lum ai, që zbriti nga kjo botë, me faqen e bardhë,
sepse vdekja, nuk është gjithmonë humbja më e madhe.
humbja më e madhe, është të jetosh gjatë
dhe të vdesësh brenda vetes, pa e kuptuar kurrë
se kur të iku njeriu, nga njeriu.
Dhe një ditë, kur koha të bëjë anamnezën e saj,
nuk do të pyesë, sa pallate ndërtuam, sa emra mbajtëm,
sa pushtet grumbulluam.
Do të hapë, arkivin e heshtur të ndërgjegjes
dhe do të pyesë vetëm,
Kur e patë errësirën, pse nuk u bëtë dritë?
2026
/QendraPress/