E diela me poetin :Faruk Tasholli

0

UNË JAM MIRË

 KUR ËSHTË KEQ SHQIPËRIA

( Poezi satitike)

Ç’dërdëllin ndër dhëmbë politiko-mafia:

Unë jam mirë kur keq është Shqipëria!

Unë hyj e dal Europës si peshku në det

Gjithkush duhet ta gjejë rrugën e vet!

Kot e kanë me mua klosharët e Parisit

Kur plantazhe m‘i quajnë parcelat e kanabisit,

Tjetër është Parisi krejt tjetër Lubjana

Ndryshe gatuajnë bukën Prishtina e Tirana;

Unë luaj si me fëmijët krejt hopa-hopa,

Kur e shtyej luhajën kot nga Europa,

Unë dal në ekran e flas me emocion

Ç’faj kam që ky popull patriotizëm kërkon?!

Pse më thonë me zjarr se jam  pa skrupull

Ka shekuj që peshku zihet në ujin e turbullt,

Kohë kur leku kapet me rrjetat e pushtetit

Lëreni akademikët kafeneve të qytetit,

Të bëjnë filozofi, të shohin histori me sy katër

Unë ua trazoj mendjen me kazmë në Teatër!

Kot ma nxjerrin sentencën si lulen pas ngricës

Se ç’ka thënë ai dykoburësi i Mitrovicës?!!!

Tash është kohë tjetër ndryshohet historia

Unë jam i fortë kur gjunjëzohet Shqipëria!

A s‘ma thuani ju ç’sundimtar në botë

Sa e mbajti fronin përballë popullit të fortë?

Ç’kanë këta patriotët që m’i trazojnë herdhet

Të mos isha unë, Europës, ç’do bënin bordellet?!

Lëreni bre se nuk jetohet me vargje poetësh të ngratë:

„O malet e Shqipërisë“ a „ku me njeh dhe gur i thatë!“

S’ka rëndësi ç’del nga portet ç’shahet n‘ Parlament

Populli han lajme ne grumbullojmë lekë,

Shteti bën  prokurori e gjykata  për t’thënë,

Po ku ka drejtësi të luhet ajo nënë,

Prandaj dërdëllis ndër dhëmbë:“Rroftë anarkia,

Se unë jam mirë kur është keq Shqipëria!“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *