Ah, sa e doja mësuesen time Shtator…;Shkruan; Msc.Lumnije Rakaj

                Shkolla sapo ka filluar. Çdo shtator më sjell kujtime të shumta. Po këtë vit më sjell edhe më të shumta. Këto kujtime i ndihmon fotografia e varur në mur. Aty shihet një grua e bukur, e buzëqeshur. Duket e lumtur. Ajo mban për dore një vajzë të vogël, që buzëqesh me drojë. Jam unë me mësuesen time të parë. Sa shumë e doja unë këtë mësuese! Sa herë e shoh fotografinë, më kalojnë kujtimet. Ishte dita e parë e shkollës. Ne të gjithë ishim të lumtur, por edhe pak të frikësuar. Por ai zë i ëmbël, ato fjalë qetësuese, ato duar të buta, ajo fytyrë e buzëqeshur na e larguan menjëherë frikën. Ishte mësuesja. Ajo mësuesja ime e parë Nexhmije Dedushi. Ai zë, ajo fytyrë do të mbeten të skalitura përgjithmonë në mendjen time. Më kujtohet ora e parë, shkronja e parë që mësuam dhe pastaj të gjitha gjërat që mësuam kalojnë rrufeshëm në mendjen time. Është gjithmonë ajo fytyrë që më buzëqesh kur merrja notat e mira, ai zë që më përgëzonte për ndonjë punim të mrekullueshëm, ata sy që më qortonin kur i bëja gabimet e pashmangshme, ajo dorë që mbështetej butë mbi kokën time, mbi faqen time, mbi supin tim për të më dhënë kurajë ose për të ma hequr frikën. Është gjithmonë e njëjta mësuese. Sa shpesh e kam pyetur veten pse mësuesja ime ka mbetur e skalitur kaq qartë në mendjen dhe në zemrën time. Dhe asnjëherë nuk kam mundur të gjej përgjigje të përshtatshme që të mund të shprehë gjithë ato që më shtyjnë ta kujtoj mësuesen time. Ajo ishte mësuesja e parë dhe më e dashur, ajo më futi në botën e diturisë, që unë më parë nuk e kisha njohur, ajo më mësoi gjërat e para në shkollë. Si mund ta harroj? Ashtu siç nuk mund ta harroj nënën, ashtu nuk mund ta harroj as mësuesen time të dashur. Do ta kujtoj gjithmonë, por e di se kurrë nuk do të jem në gjendje ta shpërblej për gjithë dashurinë që më ka dhënë dhe për gjithë diturinë që më ka dhuruar. Ajo do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën time. Përgjithmonë! Kështu e kujtoj çdo shtator mësuesen time. Ajo është pjesë e mendjes, e ëndërrave dhe e zemrës sime. Do ta dua dhe do ta nderoj përjetësisht, ashtu si nënën. Fundja, mësuesja ime ishte, është dhe do të jetë gjithmonë një nënë e dytë për mua. 1 shtator 2023 Msc.Lumnije Rakaj