Çaste poetike me poeten;-Ajne IBERHYSAJ

SHPIRTI NUK HESHT
————————————-
Në timbrin e zërit tim,
më e shenjta e gjithmonshmja ime,
ishe fryma e shpirti tim.
Asgjë nuk e shoi
etjen time!
Gjithçka rreth meje ishte përhumbur
deri te zani brenda meje.
Fundosur në shatërvanin e puthjeve,
ku shpirtin ma prekte një flutur
me flatra të gjymta.
Shpirti nuk hesht,
derisa t’i mbledh një grusht rreze.
I fala dritën e syrit tim
diellit të etshëm, për një puthje.
Harta e shpirtit fillon
aty ku fryma e zemrës rëndohet.
Më ndez zjarrin e damarëve që nuk bëzajnë.
E ti, zgjuar etshëm
nën rigën e syve të mi.
Në kryqëzimin e verbët të fatit,
mundur shiu shtegtar.
U dhanë kumt
etjeve të shpirtit të rrënuar.
Mbledhur vetja si gjethe kryeneçe.
Bëhem ofshamë shkundullimash
në shatërvanin e dhimbjeve,
deri në agun tjetër.
/QendraPress/