Çaste poetike me poeten;-Arbana ARBA

Shpresa
———————
Unë nuk kam ndërmend të vuaj.
Jo, nuk kam pse ta ushqej vuajtjen.
Këtë vuajtje bota nuk e fut kurrë në listën e saj të ligjshme.
Dhe unë nuk kam të drejtë të ngre padi,
ndaj asaj që pëshpëritet netëve nën zë, në lutje.
Unë s’duhet të bëj as më të voglën përpjekje të vuaj.
Fundja, këtë vuajtje mund ta mbys ashtu dhunshëm,
t’i shtrëngoj fort litarin rreth qafës,
dhe, në përpëlitje, mos të guxojë të bëjë as më të voglën lëvizje.
Unë, vrasësja e kësaj vuajtjeje,
nuk mjaftohem me kaq,
për qefin i vesh të bardhën buzëqeshje,
e nderoj me homazhe krenarie për kortezi,
dhe më pas, ah!
Kur të gjithë të më kenë harruar,
u afrohem fshehurazi
dhe ua numëroj therjet një e nga një.
/QendraPress/