Çaste poetike me poeten;-Nexha REÇICA

SHKO

——————-

Shko…

atje ku dy hije pinë nga i njëjti muzg,

ku një yll e ndërron heshtjen me një tjetër,

e nata, pa lënë gjurmë në ujë,

ia ndërron emrin bregut.

Unë do të mbetem në anën e padukshme të erës,

aty ku pemët i fshehin unazat e tyre,

ku rrënjët përqafojnë gurë të huaj

dhe asnjë degë nuk pyet

përse pranvera erdhi me vonesë.

Mos e kërko çelësin nën prag,

as shenjën në hirin e ftohtë;

disa dyer mbyllen nga brenda qiellit,

disa udhë largohen

pa lëvizur asnjë hap.

Ti ndiq atë dritë që të njeh në mjegull,

atë hënë që s’e tremb detin;

unë do t’i mësoj dallgët të heshtin

kur emri i një bregu

nuk duhet më të shqiptohet.

Dhe kur vjeshta të mbjellë borë nëpër degë,

kur zogjtë të kthehen në drejtim të gabuar,

mos pyet pse një dritare mbeti pa dritë—

ndoshta qielli e ka kuptuar

atë që toka s’e tha kurrë.

Shko…

se jo çdo rrugë që ndahet është largësi,

jo çdo hije është mungesë,

dhe jo çdo gjë që humbet në muzg

ka qenë e destinuar

të kthehet me agimin.

/QendraPress/