Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

NUK PO E GJEJ TË SOTMEN

——————————————-

Më thoni

a e patëm shkruar të sotmen në

 kalendarët e të nesërmes …?!

Harruam,

shkarravitëm mbi kalendarë që u fshinë si

 bryma e mëngjesit të vjeshtës.

Me planet e skicat tona

prej duarve që dridheshin qeshën edhe orët

në mure të netëve të vona.

Baticat e zbaticat u zbavitën me ne si me valët.

Velat e anijës tonë i kishim prej letre.

Në hartat që dikur

vizatuam të nesërmen,

tani po e lypim

e nuk e gjejmë të sotmen.

Të hutuar po e kërkojmë

si ajo vajza,

tani e ndarë me burrin,

që e projektonte të dashurin

para puthjes së parë.

E sotmja mungon…

Nuk e kishim kështu

në asnjë kalendar.

/QendraPress/