Çaste poetike me poeten;=Blerina PELLUMBI

Një botë pa botë

——————————–

Kjo botë është pak, shumë pak,

Për të mbledhur dritën e shpirtit në pëllëmbë duarsh,

Për të skalitur njeriun në forma dhe ngjyra që i grisen natyrës.

Një botë e pakët, e ngushtë për rrugë faljesh

, e gjerë në rrugë dhimbjesh,

këmbëzbathur në harresë.

Një botë e errët në kujtime që vrasin.

Humnera sekondash, minutash, orësh,

 vite të përplasur në boshllëqe zemre.

Një tokë e ngadaltë në lutje për shpresë,

E verbër në dashuri të pajetuara,

Boshllëk në zemëra të zvogëluara nga turpi i egos.

Një qiell mbushur me re të zeza gënjeshtrash,

 lëndime në lot fëmije, nënash.

Heroina të heshtura që çajnë retë.

Udhëtime toke në shkretëtira ndjenjash,

Që gëlltitin copëza dhimbjesh njeriu.

Skulptura rëre, mirazhe ku njeriu harron veten.

Një botë pa botë.

/QendraPress/