Çaste poetike me poetin;Namik SELMANI
Pasqyrë, o mikja ime!
———————————
Nuk mbaj mend kur të takova dikur, o mikja ime.
O, sa u çudita kur gërshetat e mia tek ti shikoja!
Të mbaja në çantë, mes fletoreve dhe librave
Kur hidhja sytë tek ti, me veten, si fëmijë gëzoja!
U bëre pjesa e jetës, e gëzimeve dhe e halleve.
Para teje
rritesha, zbukurohesha e fytyra merrte skuqje.
Ndërrova krehrat,buzëkuqet bluzët e numrin e sandaleve.
Ah, të më shikoje kur provova të parën puthje!
Bëra miq enët e kuzhinës, qëndismat dhe fletët e librave
Ndërrova të tjera adresa në agim e në muzg.
Vetëm ti,
mbete përherë besnikja e ditëve.
Edhe kur pashë tek ti të më dilte një thinjë e një rrudhë.
Ah, që s’ke gojë të flasësh përditë me mua!
Me qindra libra, filma do bëje për mbresa dhe emocione.
Dhe kur të shoh në sallon me xhamin e kristaluar
Më kujton kohët e largëta në dhjetëra stacione.
Tek ti
është libri kënga e ndonjë ëndërr e parealizuar.
Tek ti
është brenga, trishtimi dhe e nesërmja.
Ç’do të ishte kjo jetë pa ty, o mike e çmuar?
Ti më je si enciklopedi që nuk i mbyllet fleta.
/www.QendraPress.com/