Çaste poetike me poeten;-Adelina Dardha HASKAJ

Ishte e pakohë

———————–

për të trazuar ndjenjat e tua

dhe për ta marrë veten prej dore,

që të dyja të uleshit

të kujdesura,

këmbë mbi këmbë,

dorë me dorë,

dhe të merrnit kohën tuaj

si të mos kishte kaluar,

të visheshit me hijeshinë e motit,

njëra me flokët në gërshet

dhe fjongon e kuqe

që valëvitet ndër vite,

tjetra me unazat në gisht

që shtrëngojnë dhimbjet

e reumatizmës,

dhe t’i tregonit njëra-tjetrës për veten,

ti për fëmijët që janë rritur,

ajo të pyeste ende

pse u lodhe kaq shpejt,

të heshtnit pak

si për të mos prishur

atë që s’u tha kurrë,

dhe mes jush

të mbetej pezull

fjongoja e kuqe,

që asnjëra

nuk e lidhi më.

/QendraPress/