E mërkura poetike me poeten;-Anila KODRA

1001 GUACKA

————————-

Buzë bregut, njëmijë e një guacka mblodha

Si njëmijë e një ëndrra fshehur në sirtar,

Pranë valës, që shkumëzonte si borë, shkrova

Për dashurinë e ëndërruar, që ti më ke marrë.

Vizatova në bregun e lagësht me to dy zemra ,

Mbi to shkrova një fjalë të vetme, vetëm një.

Në vijën e horizontit gdhenda qartë dy emra,

Timin dhe tëndin, në heshtje, pa fjalë, pa zë.

Mbi kokë pulëbardha atë çast kish ngado,

Zbardhnin ngjyrën e qartë të të kaltrit qiell,

Vezullonte e shndriste mbi luspa peshqish

Ndihej ngado i grohtë rrezearti diell.

Një çast ula sytë të shoh përsëri dy zemrat,

Ato që gdhënda e pikturova pak më parë,

Nuk ishin më aty, sa çudi, vërtet u trishtova,

Vala që erdhi atë çast me vete i kish marrë.

I dërgoi të dyja tutje larg, tej, në detin pa fund,

Atje ku gdhenda me fantazi dy emra në ar,

Dy zemrat dhe dy emrat tani janë bërë një,

Mes detit blu errët dhe qiellit margaritar.

/www.qendrapress.com/