Fryma poetike e ditës atdhetare me poetin:-Ragip GJOSHI

ÇLIRIMTARË E FAQEBARDHË
Prolog
—————————
Kujdes, Evropë!
Respekt për këtë grusht njerëzish
të shkelur me shumë ngjyra çizmesh
në këtë atlas shkëmbor!
1.
Mos e matni historinë
me vizore diplomatësh,
as plagët me heshtjen e hartave;
këtu çdo gur ka një dëshmi,
çdo prag një varr,
çdo nënë një emër të pathënë.
Kjo është Dardania —
e copëtuar në harta,
e rrethuar me tela,
e goditur nga çizmet e shekujve,
por kurrë e dorëzuar.
I morën kufijtë me laps,
i ndanë trojet me gërshërë,
i dëbuan njerëzit nga shtëpitë,
dhe mbi oxhaqet e shuar
mbollën heshtjen e pushtimit.
Nga Dardania në viset shqiptare
kaloi një kronikë e gjatë:
dëbime,
vrasje,
burgje,
spastrime,
shkolla të mbyllura,
gjuhë të ndrydhura,
emra të tjetërsuar
e familje të shpërndara në erë.
Por populli nuk u zhduk.
Në çdo prag të djegur
mbeti një shkronjë.
Në çdo varr
një kujtesë.
Në çdo fëmijë të dëbuar
një atdhe që kërkonte kthim.
Dhe kur historia u ngushtua
deri në grykën e pushkës,
dolën bijtë e saj —
jo për të pushtuar,
por për të mos u zhdukur.
Ata morën mbi supe
hallet e një populli
dhe e çuan përpara,
deri te dita e drit;rimit,
kur qielli u mbush me bomba
dhe bota më në fund
pa atë që kishte kohë që bërtiste.
Pastaj erdhi liria.
Erdhën njohjet.
Erdhën institucionet.
Erdhën fjalët e mëdha
për paqen,
për drejtësinë.
2.
Presidenti hoqi kollaren dhe kostumet
Veshi uniformë të re për betejen e fundit
Ushtari i përhershëm i lirisë së Kosovës
Tok me tre bashkëluftëtarët përkrkrah…
Sot,në një sallë larg atdheut,
katër burra presin
që drejtësia të mos harrojë
se nga cila histori kanë ardhur.
Mjaft është mjaft!
Pas bombave,
pas njohjeve,
pas gjithë asaj drite
që Evropa tha se solli në Kosovë,
duhet të vijë edhe një fjalë
e prerë si kambanë:
PAFAJËSI!
Jo më një tjetër derë burgu
mbi një histori të përgjakur.
Jo më një tjetër gur
mbi kujtesën e një populli.
O Evropë,
ti që e njeh peshën e drejtësisë,
mos e lër peshoren
të anohet nga era e politikës!
O miq të shqiptarëve,
ju që ishit pranë nesh
kur qielli u bë zjarr,
mos heshtni tani
kur drejtësia pret në prag!
Shikojeni këtë grusht njerëzish:
me rrudha lufte në ballë,
me atdhe në kujtesë,
me vite burgu mbi supe,
por me fytyrë
që nuk e ka ulur para historisë.
ÇLIRIMTARËT E FAQEBARDHË
PRESIN LIRINË!
3.
Le të hapen dyert
që i mbylli koha e gjatë;
le të kthehen bijtë
në tokën që i priti;
le të pushojë kjo pritje
nën qiellin e Kosovës.
Sepse një popull
që mbijetoi copëtimin,
dëbimin,
vrasjen,
shtypjen,
asimilimin
dhe burgun,
nuk kërkon hakmarrje.
Kërkon drejtësi.
Dhe drejtësia,
kur vonon shumë,
duhet të vijë më e madhe se heshtja.
Ç’është mjaft — është mjaft!
LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!
Kthehuni,Çlirimtarë e faqebardhë!
Kosova po pret.
Nënat po presin.
Maket po presin.
Historia po pret.
Dhe Evropa,
nëse ende e dëgjon zërin e drejtësisë,
duhet të thotë:
LIRIA nuk është krim.
ÇLIRIMTARI nuk është fajtori.
DREJTËSIA duhet të flasë!
Drenicë, më 15 shtator 202
/QendraPress/