Fryma poetike e së dielës me poeten:-Elvira ZENELI

Duke parë detin…

———————————

Po shikoja detin..

dallgët pa pushim vallëzonin,

Si mendimet që lindin e treten në heshtje.

Çdo valë sillte një rrëfim të pathënë,

çdo shkumë e bardhë një ëndërr të mbetur përgjysmë.

Deti më foli pa fjalë,

më tha se asnjë stuhi nuk zgjat përgjithmonë.

 Edhe qielli, kur errësohet,

e gjen sërish dritën e agimit.

Sa ngjan njeriu me detin..

Në sipërfaqe buzëqesh,

por në thellësi ruan plagë,

mall e shpresa, që vetëm zemra i njeh.

Dallgët përqafojnë bregun pa u lodhur,

edhe pse ai i largon vazhdimisht.

Kështu është edhe dashuria e vërtetë:

kthehet gjithmonë aty ku e thërret shpirti.

Teksa sodisja horizontin,

kuptova se jeta nuk matet me stuhitë që kalojmë,

por me forcën për të mbajtur zemrën të qetë,

edhe kur brenda nesh deti nuk pushon së dallguari.

/QendraPress/