Fryma poetike e së dielës me poetin;-Urim MEZINI

SONTE M’U KUJTUA NËNA

—————————————-

Një natë të errët, me yje e hënë,

një ëndërr sytë m’i kish rënduar.

Gjumi më iku, s’donte me më zënë,

vendosa ta shtyja me të lexuar.

Librin në dorë nisa ta shfletoj,

pa e mbaruar ende faqen e parë.

Një pikë loti në sy ndaloi,

papritur u ndodha duke qarë.

Në dritare u ula të shihja hënën,

sytë nga lotët më qenë mbuluar.

Hëna ndërmend më solli nënën,

librin e hodha e lashë pa lexuar.

Mendja m’i solli të gjitha vuajtjet

që nëna e shkretë kishte kaluar.

M’u kujtuan edhe lutjet

që e mira ime bënte për mua

M’u kujtua një natë, dikur,

teksa ishte me një foto në duar.

I shkova nga pas, pa më ndjerë,

e pashë që ishte duke lotuar.

E përqafova me dhembshuri,

ia putha sytë që kishin lotuar.

U kthye, më shtrëngoi me dashuri,

e në mëngjes u gdhimë të përqafuar

S’bëri e shkreta një ditë të mirë,

si shumë nëna të asaj kohe.

Herë pa ngrënë e herë pa pirë,

mbajtën dertet e kësaj bote.

Sot e kujtoj me mall e dhembshuri,

për jetën e vështirë që ajo pati.

Ishte dhe mbetet më e madhja dashuri,

që në mes na e ndërpreu fati.

QendraPress/