Fryma poetike e së dielës  me  poetin;Sabit RRUSTEMI

S’MË BËHET VONË EDHE MILIONA VITE PO TA PRES

————————————————————————

Për midis sheshit Ajo vjen e vetme

për ta lënë pritjen pa pritje

Sikur t’më vijë përditë

përditë

e pritja të mërgojë e të zhduket përtej qiejve

Po si ta kem unë atë fat

si

Sa nuk klitha zëshëm

Çakthi

ai shpend i trishtuar i këtij Mali të Moçëm

sa vetë planeti

ra pa frymë në një zgurrë Çepuri

i mundur nga etja

Oh

sall për një pike ujë

e një puthje

U rrudh ai shesh

u drodh

e u mbështoll në një dredhë

prej erës së trazuar

nga flokët e Saj

Sa afër e pata

aq afër sa s’preket më

Tash as gjurmët s’ia gjej

mesa galaktikave të humbura

pafundësisë së universit

Përpak

krejt përpak

ato stalaktite e (stalak)mite

labirinteve të Shpellës së Gadimes

nuk u puqen

Loti pikon mbi lotët që digjen

hi zemre bëhet

mbi gjëmat e heshtura

e s’jepet

Një të dashur si ajo

edhe miliona vite po ta pres

s’më bëhet vonë

( 6 dhjetor 2023 )

/www.Qendra Press.com/