Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Bilbil MURATAJ

LERMË TË ULEM

———————–

Lermë të ulem e të rri

Dhe të them nja dy – tri fjalë,

Lermë të çlodhem përmbi ty,

Si nëna që rri me djalë.

Lermë të ulem mbi një gur,

Mbi një shkëmb a dru të thatë,

Lermë të pi pak ujë kristali,

Aty të gdhihem një natë.

Lermë të shkel mbi bar të njomë,

Të marr erë trëndelinë,

Të më ndjejë ngrohtësi shpirti,

Të çmallem me gjithësinë.

Lermë të ngjitem lart në kodër,

Dy vargje t’i shkruaj për ty,

Dhe nëqoftëse jam i verbër,

Aty do bëhem me sy …

Lermë të ulem përmbi degë,

Tek lisi në majë të kodrës,

Të shoh Teqenë e Greshicës,

Pamjen e bukur të Vlorës, …

Lermë të shkoj me hap të shpejtë,

Si njëherë kur isha djalë,

T’i them babait dhe nënës

Për gabimet të më falë.

Lermë të ulem dhe njëherë

Në sofrën e bujarisë,

Të më vijë, siç vinte dikur,

Radhë e këngës, e dollisë

Më lerë të ulem në gjunjë,

Aty në baltën e ngrohtë,

Brodha rrethe, brodha shtete,

Si ti nuk gjeta në botë.

Lermë të ulem …

/QendraPress/