Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Rexhep HOTI

Guri që më mban!
———————————-
Kurrë s’do të mund të besoja
që do ta takoja të gjallë kohën
e ta urreja aq shumë vargun tim;
fytyrën më duhet ta fsheh
mes gurëve parahistorikë;
pesha e tyre më çan deri në palcë.
Dhe e dua fort atë rëndim,
ajo shtypje e gurtë më shlodh,
më mban për gjaku,
kur gjithçka më firon,
më lidh me tokën
e s’më pyet për asgjë,
dhe nën atë peshë planetare
më në fund më hesht.
Nuk jam i mbytur nga malli,
nga nostalgjia e as nga kujtimet;
ah, ato i kam të fundosura si margaritarë;
i braktisur, kam lindur të jem,
por e ndiej se bota më mban nën ndëshkime,
dhe ajri i saj s’më mjafton për kraharor.
S’dua të ma shohin njerëzit fytyrën time;
ajo është këputur përbrenda, në dysh.
E bart veç formën e asaj që isha,
një pamje e tretur në vitet që s’u kthyen.
Dhe prapë them: sa me fat janë njerëzit e mi,
që s’mund të më shohin nga brenda.
O, s’dua t’ua shpalos trishtimin;
do t’ju çahej qielli në krye.
E kam ditur prej kohësh
që s’mund ta mbaja dorën e një fati tjetër.
Por flaka e kuqe bie si mortajë,
të merr me vete pa zë
dhe s’të lë më që të kthehesh prej saj.
Kam bredhur nëpër gryka vullkanesh,
ku edhe çasti digjej para se të bëhej kujtim;
pas meje toka i qepi buzët e kraterit,
por hapat e mi ende lënë avull në shtegtim.
E gdhend gurin parahistorik,
me çdo goditje shpirti më pushon;
ah, të vdisja për ty do ta kisha më të lehtë,
por ti më ke lidhur me besë;
në shkëmbin e lashtë,
do ta gdhend me daltë
vargun e dhimbjes për ty,
atje ku asnjë dorë s’mund ta fshijë.
/QendraPress/