Po të thonë hidhu në lumë, ti do të hidhesh?/Shkruan; Farie BISHA, poete.

Reflektim mbi ngjarjet e protestës në Shqipëri

Duke parë videot dhe fotografitë nga protesta, është e vështirë të qëndrosh indiferent. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është prania e brezit të ri, më i vetëdijshëm dhe më i angazhuar. Familje të reja, me fëmijë për dore, në krah apo në karroca, dolën për të protestuar, duke u lënë atyre një kujtim të fortë jetësor dhe një mësim të vyer qytetar. Të duash vendin tënd pa interes personal, thjesht nga dashuria për tokën dhe të ardhmen e tij, është një vlerë e madhe.

Një aspekt tjetër që të bëri të reflektoi ishte qëndrimi i mediave zyrtare. Televizione dhe portale zgjodhën të mos i kushtonin vëmendjen e duhur ngjarjes, duke treguar qartë mungesën e pavarësisë së tyre editoriale.

Pastaj nisi beteja e zakonshme e propagandës. Diskutimet u zhvendosën nga thelbi i çështjes te interpretimet, detajet dhe lojërat me fjalë. Kjo më kujton shprehjen popullore: “Prit, o popull, ndonjë kockë për të lëpirë.”

Çdo ditë shohim taktika të ndryshme reagimi nga pushteti: propagandë, aksione policore dhe përpjekje për të kontrolluar narrativën publike. Në këtë pikë, sinqerisht ndiej edhe një lloj “empatie” për policët që ndodhen në terren. Ata janë njerëz që kanë familje, fëmijë dhe përgjegjësi. Shpesh gjenden mes detyrës dhe ndërgjegjes së tyre personale.

Filozofja gjermano-amerikane Hannah Arendt e trajtoi këtë temë në veprën e saj të njohur “Eichmann in Jerusalem: A Report on the Banality of Evil”, botuar në vitin 1963. Ajo shpjegonte se si njerëz të zakonshëm mund të bëhen pjesë e padrejtësive të mëdha kur heqin dorë nga mendimi kritik dhe thjesht zbatojnë urdhra.

Kjo temë u diskutua gjerësisht edhe gjatë Gjyqeve të Nurembergut, të zhvilluara pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej të akuzuarve nazistë u mbrojtën me argumentin se kishin zbatuar urdhrat e eprorëve. Megjithatë, gjykata theksoi se përgjegjësia personale nuk zhduket vetëm sepse një veprim është urdhëruar nga dikush tjetër.

Prandaj, duke parë policët në protestë, më vjen t’u them: kini kujdes! Në turmë mund të jetë fëmija juaj, nipi apo mbesa juaj, shoku, miku, komshiu apo një i afërm. Mos i ndotni duart për të mbrojtur interesa personale të një grushti njerëzish oligarkë, të cilëve nuk u intereson fare se kush jeni ju apo e ardhmja juaj.

Një shprehje e vjetër thotë se një mbret pa ushtarë nuk është më mbret, por thjesht një njeri i zakonshëm. Po ashtu, prindërit tanë na mësonin të mendonim me kokën tonë: “Po të thonë të hidhesh në lumë, a do të hidhesh?” Kjo pyetje mbetet aktuale për këdo që përballet me një urdhër që bie ndesh me ndërgjegjen e tij.

Frika ka qenë gjithmonë një nga mjetet më të fuqishme për të manipuluar individët dhe popujt. Prandaj i uroj popullit shqiptar kurajë, vetëbesim dhe pjekuri demokratike. Uroj që Shqipëria të çlirohet nga mentalitetet autoritare, nga frika dhe nga kultura e nënshtrimit.

Urime të rinjve që e duan vendin e tyre dhe që angazhohen për të ardhmen e tij. Uroj që të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, të japin kontributin e tyre për ndërtimin e një sistemi më meritokratik dhe më të drejtë. Një vend ku të rinjtë të shkojnë jashtë për studime, eksperienca dhe zhvillim personal, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara, e jo nga halli apo nevoja për mbijetesë.

Dhe një vëzhgim i fundit: kësaj radhe pothuajse asnjë figurë e njohur artistike nuk u pa në “skenën” e protestës. Është një fakt që ngre pyetje dhe të fton të reflektosh mbi raportin mes artit dhe lirisë së shprehjes. Edhe atyre u uroj kurajë.

Farie Bisha 04.06.2026/QendraPress/