77 vjet nga vrasja e njërit ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës, kush ishte Shaban Polluzha
Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Shabani nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese.U përball me bullgarë e austriak gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavie borgjeze. Gjatë mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullorë dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.Gjatë luftës se Dyte Botërore ishte komandant i një pjesë të frontit në Mal të Zi, Kollashin dhe Sanxhaku i Tregut të Ri, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (gjyqit paqtues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar të Islihatit në Drenicë. Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike.Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai asnjëherë këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare. Për këtë paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit të Skenderajt e propozuan për komandant të Brigadës së Drenicës. Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944 (por edhe më herët) në këto hapësira, u formuan njësitë e shumta të “UNÇJ-së”, duke filluar nga çetat, aradhet, batalionet e deri në brigada.Këto formacione partizane edhe pse u formuan në truallin shqiptar nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve. Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse…)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar, nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë.Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kalojë një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës.Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.Shaban Polluzha në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu./kp/