Mustafa i përgjigjet Kurtit: Do ta bësh “Zajednicën”, frikësohem se do të nënshkruash autonomi për serbët

                 Isa Mustafa u rikthye sot në Kuvendin e Kosovës. Por jo si kryeministër e as si deputet. Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës u përmend nga kryeministri aktual, Albin Kurti, gjatë një fjalimi në Kuvend. Si pothuajse gjithmonë, Kurti e kritikoi Mustafën, duke vlerësuar se Asociacioni është “Zajednica” e Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës dhe i Mustafës.Ndonëse në pension dhe vetëm kryetar nderi i LDK-së, Mustafa vazhdon të jetë herë pas here në shënjestër të pushtetit aktual, duke u përmendur kryesisht në kontekste negative. Por pse vazhdon të jetë Mustafa kaq i përmendur nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje?Sipas Isa Mustafës, akademikut që është kryetar nderi i LDK-së, kritika e Kurtit dhe LVV-së në adresë të tij lidhet me faktin se ata nuk po dinë të qeverisin. Andaj, Mustafa vlerëson se Kurti po i frikësohet edhe tash kur është në pushtet.“Më pëlqen e s’më pëlqen kur më kritikon Kurti, sepse shoh se ai s’di asgjë tjetër, s’di të qeverisë. Ai ka ardhur në pushtet duke më kritikuar mua (dhe Thaçin) me plot insinuata dhe të pavërteta e tani për çudi frikësohet nga ne kur është në pushtet. Në fakt, frikësohet nga mashtrimet e tij!”, deklaroi Mustafa në një prononcim për gazetën Nacionale.

Ndërsa për çështjen e Asociacionit, për të cilën temë e kritikoi Kurti, Mustafa vlerëson se ajo është vendosur nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, në analizën e Mustafës, e njëjta duhet të themelohet.“Kurti mendon se ligjet që i ka sjellë Kuvendi, kur ai s’ka qenë Kryeministër, janë tryezë suedeze; merr e lenë çfarë të dojë. Ai harron se një Kuvend i tillë e ka zgjedhur edhe atë, edhe Presidenten. Unë e kam respektuar Ligjin dhe kam punuar në implementimin e asociacionit duke siguruar që Gjykata Kushtetuese të vendosë për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën. Këtë nuk do të arrijë ta bëjë Albini. Frikësohem se ai do të nënshkruajë autonominë e serbëve në Kosovë.” – theksoi Mustafa për Nacionalen. Në përgjigjen e tij, Mustafa ishte i bindur se Kurti do ta bëjë “Zajednicën”.“Albini do ta bëjë ‘Zajednicën’ siç e bënë ratifikimin e kufirit me Malin e Zi ata që e kundërshtuan. Do të implementojnë çdo gjë për çfarë është vendosur në kohën time dhe të Thaçit, sepse ne kemi pasur dashuri dhe vizion për Kosovën; çdo vendim e kemi bashkërenditur me partnerët tanë strategjik në interes të Kosovës”, vlerësoi Mustafa.Në fund, ish-kryeministri vlerësoi se situata në veri është jashtë kontrollit, teksa e akuzoi Kurtin se e ka rrezikuar sovranitetin shtetëror në atë pjesë të Kosovës.

“Kryeministri i tanishëm e ka sjellë situatën që veriu i vendit të dalë jashtë kontrollit, e ka rrezikuar sovranitetin shtetëror atje dhe tani në mungesë të dijes dhe guximit për të bërë zgjidhje, së bashku me militantët e tij ka zgjedhur të merren me të kaluarën, ashtu siç ata e konstruktojnë. Kështu bëri edhe një shërbëtor i tij mbrëmë në Tv Dukagjini, i cili kërkonte nga LDK-ja të distancohet nga Isa Mustafa”, përfundoi Mustafa.

Kujtojmë që Kurti ka deklaruar sot në Kuvend se Asociacionin e kanë bërë Hashim Thaçit e Isa Mustafa, duke i akuzuar ata se e nënshkruan një “Zajednicë”. “Asociacioni është ‘Zajednicë’ e Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Falë meje nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Kam përmendur gjashtë kushtet për Asociacionin. Asociacionin që e keni sjellë. ‘Zajednica’ e Thaçit e Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka qeveri demokratike. Kur po jep deklarime Escobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni. Në atë momenti ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vetë. Por ju nuk dilni”, tha Kurti.