KPK dënon gjuhën e ministres Haxhiu: Është tentativë për ndërhyrje në punën e prokurorit
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dënuar gjuhën që Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përdori sot ndaj prokurorit Iliaz Beqiri, të cilit i bëri thirrje që të dorëzohet.Nga KPK i kanë kërkuar ministres Haxhiu që të përmbahet nga deklarata të tilla, pasi thonë se ndikojnë në punën e pavarur të drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“KPK-ja i bënë thirrje Ministres Haxhiu edhe një herë që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje prokurorit Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza për gazin lotsjellës pasi mungon ekspertiza dhe faktet.“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu. /Reporteri.net/.
Komunikata e plotë:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dënon gjuhën me përmbajtje kërcënuese të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, të përdorur në seancën e sotme gjyqësore ndaj saj, në të cilën akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.KPK-ja i bënë thirrje Ministres Haxhiu edhe një herë që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.Në anën tjetër, KPK-ja do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë dhe të mbrojë me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës.