Pse nuk është i mundur parashikimi i saktë i tërmeteve?

Dhjetëra mijëra vetë u bënë viktima të tërmetit në Turqi dhe Siri. A mund të kishin qenë më pak, nëse do të ishte paralajmëruar tërmeti i frikshëm? Pse nuk është i mundur parashikimi i saktë i tërmeteve?A mund të ishte parandaluar katastrofa me kaq shumë viktima në Turqi dhe Siri nëse do të ishte bërë një paralajmërim në kohën e duhur? Pse nuk bëhen dot prognoza dhe cila është gjendja aktuale e shkencës në këtë drejtim?Shumica e tërmeteve krijohen përmes zhvendosjes së pllakave tokësore, që janë rregullisht në lëvizje, përplasen apo largohen nga njëra-tjetra- Nëse presioni mes dy pllakave bëhet shumë i madh, kjo tendosje shkarkohet duke krijuar tërmetin. Për të bërë një parashikim të saktë për këtë zhvillim, duhet të dihet vendi, magnituda dhe koha e tërmetit. “Vendin dhe magnitudën ne e njohim shumë mirë”, thotë Oliver Heidbach nga Qendra e Studimeve Gjeodezike në Potsdam për televizionin gjerman, ZDF. “Por ajo nuk njohim aspak është koha kur kjo ndodh.

Pse nuk mund të dallohet koha e një tërmeti?

Një tërmet është një “proces shumë kompleks që ndodh papritur”, shpjegon Heidbach. “Merrni një tas dhe shtypeni fort e më fort. Nuk dihet se në cilën pikë kohore ky tas do të thyhet, por kur çahet kjo ndodh fuqishëm dhe papritur.” Një tërmet është ndryshe nga një uragan, ai është një proces “jo-linear”. Tek një uragan mund të vëzhgosh, se si krijohet, si fiton gjithnjë e më shumë fuqi dhe mund të bësh prognozë edhe për rrugën që përshkon. Kurse një tërmet vjen gjithmonë pa paralajmërim, thekson Prof. Oliver Heidbach.Tërmetet me shumë ballë përveç kësaj krijohen në thellësi 7 deri në 8 kilometra ose edhe më thellë. “Aty nuk mund të vendosim instrumente matëse, për këtë arsye nuk i njohim cilësitë fizike dhe gjendjen shkëmbore në këtë thellësi. Nuk e kemi mundësinë e qasjes së drejtpërdrejtë.” Nëse do të bëje shpime në këto thellësi kjo mund të ishte vetë shkaktar i një tërmeti, sipas ekspertit.

Çfarë do të thotë kjo për rajonet sizmike të forta?

Nëse do të mendosh për masa evakuimi, kjo nuk mund të bëhet pa e ditur kohën e tërmetit, sqaron Heidbach. Ajo që bëhet është zhvillimi i normave të caktuara në ndërtim për të përballuar tërmetet. “Ne studiuesit e gjeodezisë ofrojmë për këtë informacione, se me cilat lëvizje të tokës mund të llogaritet në të ardhmen”. “Në rajonet e rrezikuara nga tërmeti, si për shembull në Gjermani në rajonin e Oberrheingraben duhet që në ndërtime të respektohen masa të caktuara, që e mbrojnë më mirë substancën e ndërtimit nga valët sizmike.”Problematike është, kur në shumë pjesë të një qyteti ke një subtancë të vjetër ndërtimi. Në Itali për shembull, shpesh të prekur nga tërmetet, nuk është e mundur të stabilizosh të gjitha ndërtesat e vjetra. Edhe në zonat e tërmetit në Turqi dhe Siri shpesh janë “injoruar rregullat e ndërtimit” dhe kjo i ka bërë ndërtesat të “pasigurta”, ka thënë studiuesi i rreziqeve, Jens Skapski për televizionin ZDF.

Sistemet e hershme të paralajmërimit

Një mënyrë për të kufizuar katastrofën janë sistemet e hershme të paralajmërimit. Sisteme të tilla janë në përdorim në Japoni dhe Meksikë. Nëse ky sistem regjistron një tërmet, atëherë të gjithë njoftohen përmes celularit, TV apo radios. “Në këtë rast ke 20, 30 ose në rastin më të mirë 60 sekonda kohë për të vënë një helmetë në kokë apo për të kërkuar një vend nën tavolinë”, thotë eksperti Oliver Heidbach.

Në Japoni njerëzit kanë shumë përvojë me këtë dhe e dinë në momentin e paralajmërimit, se ç’duhet bërë. Ky sistem nuk funksionon njësoj me efektivitet në të gjitha rajonet. Sipas Heidbach, tek një paralajmërim për zonën e Stambollit, ku përmes zhvendosjes së pllakave pritet prej kohësh një tërmet i fortë, për shkak të afërsisë me zhvendosjen tektonike “do të mbeteshin vetëm pak sekonda kohë”.

https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=19&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE