Ashton tregon si lindi ideja e Asociacionit, komenton qëndrimet e Kurtit karshi dialogut

Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se Asociacioni lindi si një ide për ta zgjidhur problemin e veriut të Kosovës. Ashton ka deklaruar se primare e Asociacionit ishte mundësia që të kanalizohet bashkëpunimi i serbëve të veriut me Qeverinë e Kosovës. Edhe sot, ajo thotë se ai duhet themeluar, pikërisht për këtë arsye, shkruan gazeta online Reporteri.net.“Pra, çështja e asociacionit ishte se ne po përpiqeshim të zgjidhnim një problem specifik në veri të Kosovës. Njëra prej tyre ishte se si të sigurohej se ka një marrëdhënie të fortë ndërmjet qeverisë së Prishtinës dhe njerëzve që jetojnë në veri, më konkretisht serbëve. Pra, asociacioni vjen nga një ide për ta përmirësuar këtë situatë dhe për ta bërë atë në një mënyrë në përputhje me ligjin e BE-së”, ka deklaruar ajo në T7. “Ajo që unë shpresoj është se Asociacioni duhet të jetë ende diçka që qeveria e Kosovës kërkon ta arrijë. Dhe kjo do të mundësonte dialogun me njerëzit në veri por edhe lehtësim në kontekstin e dialogut në Bruksel”. Kur është pyetur për qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti, Ashton theksoi se ai ka të drejtë kur thotë se koha e tyre ka ikur.“Ai ka plotësisht të drejtë kur thotë se koha e Ashtonit, Thaçit dhe Daçiqit kanë ikur. Por unë shpresoj se trashëgimia dhe ajo që u përpoq të arrihet atëbotë të mbetet ende. Shpresoj që njerëzit e Kosovës e dinë se sa shumë jam duke u mbështetur për ta, ndërsa ne të vazhdojmë”, tha tutje. /Reporteri.net/.