Reagim për fyerjen dhe njollosjen e emblemes së UÇK-së në ambientet qeveritare-Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i Parlamentit të Kosovës.
![](http://qendrapress.com/wp-content/uploads/2024/12/hisen-660x330-7.png)
Veprimi i turpshëm i vendosjes së emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ambientet e WC-së brenda një institucioni shtetëror, të udhëhequr nga qeveria e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është një akt i papranueshëm dhe fyes ndaj historisë sonë kombëtare, sakrificave dhe vlerave më të larta që përfaqëson UÇK-ja. Ky akt nuk është vetëm një fyerje ndaj të rënëve, por edhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj identitetit dhe krenarisë kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. UÇK-ja ishte dhe mbetet simboli i qëndresës kombëtare, guximit dhe vendosmërisë për liri dhe dinjitet kombëtar. Në saje të luftës së saj heroike dhe sakrificave sublime të dëshmorëve, Kosova sot është një shtet i lirë dhe i pavarur. Fyerja e emblemes së saj përbën një përpjekje për të njollosur historinë e lavdishme të luftës sonë çlirimtare dhe për të zbehur rëndësinë e saj në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Institucionet që sot udhëhiqen nga kjo qeveri po dëshmojnë një neglizhencë të paprecedentë ndaj vlerave kombëtare. Ky akt fyese nuk është një rast i izoluar, por një vazhdimësi e sjelljes përçarëse dhe përpjekjeve për të margjinalizuar kontribuuesit e vërtetë të lirisë. Kërkojmë me urgjencë: 1. Hapjen e një hetimi të menjëhershëm për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit për këtë akt të turpshëm. 2. Miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare të Kosovës, që të garantojë mbrojtjen ligjore të simboleve dhe vlerave të UÇK-së. 3. Kthimin e dinjitetit në institucionet tona dhe një qëndrim të qartë të qeverisë për respektimin e vlerave kombëtare. UÇK-ja nuk është vetëm një emblemë, por një testament i guximit dhe sakrificës së popullit shqiptar. Kushdo që guxon ta njollosë këtë simbol, sulmon drejtpërdrejt vetë themelin e lirisë dhe pavarësisë sonë. Turpi le t’i mbulojë ata që nuk respektojnë të kaluarën dhe sakrificat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës!/www.QendraPress.com/