Kurti “i përgjigjet” Vuçiqit: Jemi furnizuar me arsenal ushtarak më shumë se kurrë, ushtria jonë e pathyeshme

Në një ceremoni solemne të zhvilluar sot, 350 rekrutë të rinj kanë bërë betimin duke iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si pjesë e gjeneratës së dytë për vitin 2025. Ngjarja u mbajt në prani të përfaqësuesve të lartë shtetërorë.
Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi se FSK-ja po rritet me hapa të shpejtë drejt një ushtrie moderne, të aftë dhe me përbërje multietnike. Ai theksoi se Kosova sot ka një ushtri profesionale, të përgatitur në aspektin profesional dhe logjistik, e cila përfaqëson garanci për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Në kohë kur bota përballet me kërcënime të ndryshme, Kosova nuk është më e vetmuar. Krah nesh janë aleatët dhe partnerët strategjikë. Ushtria jonë është e pathyeshme, sovraniteti i paprekshëm, dhe integriteti territorial i pacenueshëm”, deklaroi Kurti.
Ai njoftoi gjithashtu se FSK është më e pajisur se kurrë më parë me sisteme moderne armatimi, dhe se brenda dy vitesh pritet ndërtimi i fabrikës së parë shtetërore për prodhimin e municioneve.
“Sot, ushtria jonë është më e fortë se kurrë. E furnizuar me arsenal të avancuar ushtarak, dhe e trajnuar në përputhje me doktrinat e NATO-s, FSK po ndërton kapacitete të plota si një ushtri e denjë për sfidat e kohës dhe një partnere e besueshme për vendet aleate”, shtoi ai.
Në këtë ceremoni u ndanë edhe mirënjohje për rekrutët, instruktorët dhe togerët e dalluar. Kjo është gjenerata e dytë e rekrutëve që i bashkohet FSK-së për vitin 2025, pas 344 rekrutëve të gjeneratës së parë që bënë betimin në muajin mars.
Ndryshe ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Ushtria e Serbisë është “më e fuqishme se kurrë” dhe shtoi se “vetëm një numër i vogël njerëzish e di” çfarë është blerë gjatë viteve të fundit, pasi “gjithçka është bërë në fshehtësi”.
Sipas tij, “Prishtina, Zagrebi dhe Tirana po krijojnë një aleancë ushtarake” dhe se vazhdimisht po e ftojnë Sofjen që t’u bashkohet, gjë që e ka detyruar Serbinë “të armatoset”./Telegrafi/