Kurti: Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter, sot ka gradën “Hero i Kosovës” – nuk ka gradë më të lartë për një qytetar të Republikës

Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me disa nga ministrat në detyrë, bëri sot homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se rreshteri Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në Banjskë të Zveçanit, tashmë ka marrë gradën më të lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës së Kosovës – atë të heroit.

Ai theksoi se sakrifica e policëve që dhanë jetën në mbrojtje të vendit nuk duhet harruar asnjëherë.

“Ne erdhëm tek varri i Afrim Bunjakut që të bëjmë homazhe, të takojmë familjen e tij. Te rreshteri i cili ra heroikisht në Banjskë të Zveçanit, e pas dy muajve bëhen dy vjet të rënies së tij heroike. Të gjithë këta polic që ia kushtuan jetën e tyre shërbimit për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe u sakrifikuan në mbrojtje të vendit tonë të paqes e sigurisë, meritojnë gjithë respektin tonë dhe duhet t’i kujtojmë e përkujtojmë vazhdimisht. Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai e ka gradën ‘Hero i Kosovës’. Grada hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i republikës dhe një zyrtar i shtetit. Është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Heroi i Kosovës Afrim Bunjaku sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit në nderim e kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e shtetit”, tha Kurti.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kjo ditë sjell emocione të mëdha dhe kujtime të rënda, por edhe krenari për sakrificën e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

“Këto vizita na kujtojnë momente shumë të rënda, së pari për familje dhe për të gjithë ne. Mbi të gjitha janë momente krenarie, për shkak se me sakrificën e gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ne po arrijmë suksese të cilat më herët kanë qenë të paimagjinueshme. Lirisht mund të themi që kjo sakrificë ia ka vle dhe këtë sakrificë duhet ta mbrojmë me çdo kusht dhe çdo çmim”, tha Sveçla.

Gjatë ditës, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij si dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.

Ceremonitë përkujtimore do të përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.