Çaste poetike me poetin:- Nexhbedin BASHA

AMANETI I TROJEVE…!

Poemë

————————————-

Zgjohuni o ilirjanë nga gjumi i gjatë,

Sepse era e maleve ju thërret,

Nga Tomori në Sharr, nga Shkodra në Epir,

na kanë hyrë në hak,

Kufijtë e lashtë të Ilirisë ende flasin në gurë e gjak.

Në hartën e kohës, një vijë e artë rri pezull:

Nga Adriatiku deri në Danub,

Nga brigjet e Epirit deri në zemrën e Dardanisë,

Ende merr frymë një komb i lashtë – i patharë.

Bardhyli më thotë natën:

“Mos i harroni trojet ku kaluam me heshta,

Se kufijtë tanë ishin dritë e gjak,

I shenjtë ky vend, i ndezur si flakë,

E askush s’kishte guxim t’i prekte aspak.”

Agroni afron dorën mbi supin tim:

“Çoni fjalën brezave që vijnë,

Se Iliria nuk qe vetëm një vend,

Por një nder, një besë, një këngë që s’ka mbarim.”

E Teuta, me kurorë dallgësh në ballë, shushurit:

“Ruajeni detin, malin, gjuhën,

Se kush humbet gjuhën e vet që ndrit,

E humb edhe kujtimin e të parëve.”

Në ëndërr më del Skënderbeu,

Si hije drite mbi kalë,

E thotë:

“Amanetin mos e lini në heshtje,

Se liria ka rrënjë të thella i vjen era ar.

Se çdo pushtet që fryhet e tretet,

Një copë atdhe ka mbetur,” thotë ai,

“E forcat e mëdha na i prenë krahët,

Na lanë gjysmën në pritjhe të ngrirë

E gjysmën tjetër në heshtje e me shumë mallë.”

Kur bishti bëhet më i madh se sqepari,

Historia na dhemb,

E amaneti merr shijen e varrit.

Nëse nuk çohemi ta mbrojmë,

Jo me luftë, po me zemër diamant.

O shqipe që fluturon mbi mjegull,

Ende m’i sjell fërfëllimë krahësh të lashtë,

Dhe më këndon këngë iliriane,

Se kombi mund të tretet në luftëra, jo në paqe.

O bij të shqipes,

Ju që ju vlon gjaku i stërgjyshërve,

Mos flini më në ëndrra të thyera,

Se Shqipëria pret të hyjë në Europë,

Jo si mysafire,

Por si bijë e shtëpisë së vjetër nga Iliria.

Tungjatjeta u themi fuqive të mëdha:

Na ktheni kombin që na morët në shekuj,

Na ktheni drejtësinë që koha e shpërndau në erë.

Se Iliria s’ka mbaruar kurrë,

ajo s’ka vdekur.

Veç është fshehur në brezat që presin,

Të shkruajnë vijën e re të hartës,

Me dritë, me gjuhë, me besë.

Kufijtë e zemrës janë plagë e vjetër,

Nga Çamëria në Mollë të Kuqe,

Rrjedhin hije e kujtime që s’u thanë kurrë.

Dua Shqipërinë lule në kufijtë etnike,

Që të mos qajë më Shkupi, Presheva e Bujanoci,

Të mos mbetet në mall Plava e Gucia,

As Ulqini, as Rugova, as Janina e harruar.

Jam ilirian i thekur,

Me gjak që më flet si bubullimë mali,

Si arbëror dola në Ohër e Podgoricë,

M’u mbushën mushkëritë me ajër të lashtë,

Me aromë gurësh e rrënjësh që s’vdesin.

Të marr frymë lirisht dua,

Pa ndarje, pa dhimbje, pa kufij mes nesh.

E dua Shqipërinë si kënga që dua,

Siç e ruajti historia,

Siç e la Skënderbeu në amanet,

Siç e ndërtuan ilirët me shpata e djersë.

E dua që të lidhet prapë me trungun e vet,

Që të mos jetë degë e prerë,

Në oborr të fuqive të mëdha të zbres.

Dua një tokë ku shqipet të mos fluturojnë të ndarë,

Ku çdo gur të flasë gjuhën tonë,

Ku çdo varr të ketë emër të njohur,

Ku çdo fëmijë të rritet me dritën e vet.

Dua një vend që mos e ndajë më asnjë teh harte,

Që amaneti i të rënëve

Të mos ngelet vetëm në këngë,

Por të marrë frymë

Si ne,

Si komb arbëror.

Shkja, o shkja, mos ma trazo plagën,

Jam në truallin tim të Ilirisë,

Ku gjaku i stërgjyshërve s’është harruar.

Të parët amanet na kanë lënë,

Të mos lëmë hijen të ketë frikë.

Çdo gur këtu flet, çdo varr ka zë,

Çdo fëmijë që rritet këtu mban dritën e tyre.

Shkja, o shkja, dëgjo, se nuk ka më heshtje,

Këtu nuk ka dorë që mund të shkelë besën.

Dhe u bashkuan amanetet:

I rilindasve që ndezën alfabetin,

I Lidhjes së Prizrenit që u betua për tokën,

I Ismail Qemalit që ngriti flamurin në ajër të tronditur,

Dhe i Skënderbeut që tha:

“Lirinë nuk ua solla unë,

por e gjeta mes jush.”

O Europë, mos e mjegullo hartën me heshtje,

Mos i lër rrënjët në shi,

Se ky komb nuk kërkon dhuratë, por drejtësi.

E drejtësia është një hënë e bardhë,

që s’e mbulon dot nata e padrejtësisë.

Na shih si qëndrojmë përballë stuhive,

me një gjuhë që rri si shkëmb,

me një besë që nuk thyhet,

me një histori që djeg si prush i pashuar.

24 nëntor 2025

/QendraPress/