Çaste poetike me poetin;-Hatip HULAJ

BALADA E NUSES SË MALLKUAR

——————————————

Një vjeshtë me shi dhe bubullimë,

në një zonë të thellë malësie,

kanagjegji në një shtëpi,

martohej një vajzë e bukur si hyjni.

Zëri i tupanave filloi të dëgjohej,

nusja nga zemra po ligështohej,

çdo gjë në dhomë iu errësua,

alivanoset dhe rrëzohet,

s’kishte dëshirë aty të martohej.

Kishte qenë e dashuruar,

por fatin e kishte të mallkuar,

para shumë kohësh ishin ndarë,

djali arratinë kishte marrë.

Pasi nusja vjen në vete,

ashtu e molisur e nxjerrin në oborr,

në vendin e pritjes, aty te shkolla,

nis vallja me zyrla e tupana.

Për të dalë krushqit andej lumit,

duhej kaluar një urë druri,

qielli edhe më tepër errësohej,

bubullima e vetëtima shtohej,

lumi nga uji tërbohej.

Kalonte qerrja me kuaj mbi urë,

këmbë e kalit kur peshë hodhi,

një copë dërrase në lum sharroi,

u përmbys qerrja, në urë u var,

nusja me gra në lumë ranë.

Çfarë trishtimi, çfarë hata!

Krushqit me vrap në lum hynë,

mezi e nxorën nga uji graninë,

e hipën nusen mbi një kal,

mezi në shtëpi mbërritën gjallë.

Nusja ishte sëmurë rëndë,

trupi i dridhej,fjala s’i dilte,

në ethe një emër thirrte

atë që fati ia kishte marrë.

Në sy i mbeti shiu dhe lumi,

buzët i levizën për herë të fundit,

por fjala s’arriti të dalë.

Në heshtje ra shtëpia e dhëndrrit,

u shua zëri i zyrles dhe tupanit,

nata e zezë mbi prag u ul….

/QendraPress/