Çaste poetike me poeten:-Ibadete Humolli TETAJ

KUR HESHTJA BËHET DRITË
—————————————-
Ka ditë,
kur heshtja rri ulur si lis i perkulur
në dhomën ku ora harron të ecë
koha tund degët e vjetra
e heshtja aty ngecë.
Ka dite,
Kur heshtja bëhet zhurmë
Ishull me zogj pa qiell,
krahëthyer kohe pa nevojë per port,
njerëz e turma boshe.
Ka ditë,
kur jam udhëtim pa hartë
hedh hapin e s’di ku më çon
hije që zgjatet prej frikes
e dëshirë që ushqehet prej dritës.
Ka ditë,
kur mendimet copëtohen
si akulli nën këmbë
heshtja çel si lule n’Pranverë
e fjalët bëhen si këmbanë në erë.
Ka ditë
Kur vetmia vishet me yje drite
dhe nata bëhet një tempull pa zë
Shpirti ulet n’gjunjë te oaza e vet
çdo brenge e vjeter ulet dhe hesht
si një anije
që limanin e shpëtimit prek.
Në këtë paqe të artë
mbledh retë si letra te bardha
deri aty ku ngroh dielli
e ka peshë fjala.
/QendraPress/