Çaste poetike me poetin:-Ymret RESHITI

JEP NGA VETJA
—————————-
Sado lumenj shpirti të derdhësh,
nuk do të thahesh kurrë,
ti je vetë burimi.
Ti je shi i egër
që bie mbi shkretira pa paralajmërim,
pa leje nga toka,
pa pyetur a të meriton etja .
Jep.
Për zemrat që mykohen në heshtje,
për sytë e përhumbur diku nëpër kohë,
për buzët që kanë harruar shijen e buzëqeshjes,
për shpirtrat që ngurtësohen në gurë.
Jep nga dashuria jote e madhe.
Le të bëhet ajo,
ilaçi që shëron zemrat e helmuara,
zëri i lutjeve që kanë mbetur pa u dëgjuar,
shpresa për shpirtërat e humbur dhe të harruar.
Jep pa llogari,
pa faturë,
pa shënim,
pa pritur asnjëherë kthim.
Dhe kur një ditë trupi të thyhet
si gotë e brishtë,
nuk do të ketë rëndësi sa ke mbledhur,
vetëm sa ke lënë pas ,
si gjurmë jete që ende frymon.
Prandaj jep, o njeri i urtë.
Jep pa frikë.
Nëse do të mos vdesësh kurrë!
/QendraPress/