Kurti pret delegacionin e NATO-s: Anëtarësimi në Aleancë, prioritet strategjik për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përbërë nga 11 anëtarë nga nëntë shtete të ndryshme. Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik, duke vlerësuar se ky proces i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin dhe hapat e ardhshëm, përparimin demokratik, zhvillimin ekonomik, si dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ka qenë edhe ngritja e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimi profesional i ushtarakëve, në përputhje me politikat dhe standardet e NATO-s. “Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka shkruar Kurti.