VITI SHKOLLOR MUND TË SHTYHET, SBASHK KA KËRKESA TË REJA

0

14 shtatori është propozuar data e rikthimit të nxënësve në shkolla për të filluar procesin mësimor. Por, kjo datë mund të jetë e kontestueshme nëse rastet me koronavirus në vendin tonë, vazhdojnë të jenë të larta.

Këtë e ka deklaruar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i cili ka thënë se mësimi do të fillojë duke u bazuar në gjendjen e koronavirusit dhe përhapjen e tij.

“Në bazë të gjendjes që po shohim në vendin tonë dhe përhapjes së koronavirusit tek qytetarët, SBASHK ka paralajmëruar që viti shkollor mund të shtyhet. Ne jemi të interesuar që të mbrohen nxënësit dhe personeli arsimor nga koronavirusi dhe për t’u bërë kjo, duhet respektuar në përpikmëri ato që ka thënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik(IKSHPK)”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka potencuar se një pjesë e madhe e shkollave në vendin tonë nuk i ka bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se dy javë para fillimit të mësimit, nuk duhet harxhuar në diskutime dhe biseda por ide konkrete sesi të tejkalohet kjo gjendje.

“SBASHK është në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe ekspertë arsimorë dhe pas dy javësh, do e bëjmë analizimin e gjendjes nëpër shkolla në mënyrë që të vendosim se a duhet filluar mësimi më 14 shtator apo duhet shtyer”, deklaroi tutje ai.

Jasharaj ka bërë me dije se në rast se plotësohen kushtet për fillimin e mësimit sipas datës së caktuar, klasët e para, të dyta, treta dhe të gjashta do fillojnë më mësimin(më 14 shtator) dhe një javë më vonë, edhe paralelet e tjera.

Ai ka njoftuar se MASHT ka bërë një lloj plani ku do bëhet një lloj fuzionimi i materies mësimore ku lëndët e caktuara, do të kenë më pak njësi sipas rëndësisë së lëndës dhe kjo mbetet të vendoset nga ekspertët.

Ministria e Arsimit ditë më parë kishte njoftuar se janë ndarë 13 milionë euro për dezinfektimin e shkollave dhe deri më 14 shtator, të gjitha shkollat do të jenë të gatshme në aspektin higjienik të fillojnë mësimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *