Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund t’i bëjmë të ardhmes së Prizrenit,-uron drejtoresha e DKA-së Luljeta Veselaj Gutaj.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, ju përcjellim urimet më të përzemërta për nxënësit dhe prindërit që janë pjesë e komunitetit tonë të madh arsimor.

Sot nxënësit e komunës sonë i rikthehen bankave shkollore për të nisur një kapitull të ri të dijes, zhvillimit dhe ëndrrave të tyre. Bashkë me ta, prindërit dhe familjarët ndajnë emocionin, shpresën dhe përgjegjësinë për rrugëtimin arsimor të fëmijëve të tyre.

Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund t’i bëjmë të ardhmes së Prizrenit. Prandaj, përkushtimi ynë institucional do të jetë i vazhdueshëm për krijimin e kushteve sa më të mira në të gjitha shkollat e komunës sonë. Do të punojmë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, pajisjen e shkollave me mjetet e nevojshme, krijimin e mjediseve të sigurta dhe të përshtatshme për mësim, përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve për nxënësit dhe mbështetjen e mësimdhënësve në përmbushjen e misionit të tyre.

Por, asnjë institucion nuk mund ta përmbushë i vetëm misionin e madh të edukimit.

Prandaj, këtë fillimvit shkollor dëshirojmë t’u drejtohemi veçanërisht prindërve dhe familjarëve: uroj që prania juaj në jetën shkollore të fëmijëve të jetë më e madhe, më e vazhdueshme dhe më aktive. Mos e shihni shkollën vetëm si vendin ku fëmija merr dije. Shkolla është një komunitet ku ndërtohet karakteri, përgjegjësia, shoqëria, respekti dhe qytetaria. Komunikoni me mësimdhënësit, ndiqni përparimin e fëmijëve tuaj, merrni pjesë në aktivitetet e shkollës dhe bashkëpunoni me drejtuesit dhe komunitetin shkollor.

Por mbi të gjitha, investoni në edukimin familjar. Fëmija mëson nga ajo që dëgjon, por edhe më shumë nga ajo që sheh. Respekti, përgjegjësia, toleranca, puna, ndershmëria, kujdesi për të tjerët dhe dashuria për dijen më së pari kultivohen në familje. Prandaj, familja duhet të jetë partneri më i afërt i shkollës në formimin e personalitetit të fëmijës.

Sot fëmijët tanë përballen me një botë që ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Teknologjia dhe inteligjenca artificiale, ndryshimet në profesionet e së ardhmes, sfidat sociale dhe mjedisore kërkojnë njerëz të përgatitur jo vetëm me dije, por edhe me mendim kritik, kreativitet, aftësi komunikimi, përgjegjësi dhe guxim për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Prandaj, detyra jonë e përbashkët nuk është vetëm t’i përgatisim fëmijët për provimin e radhës, por t’i përgatisim për jetën dhe për sfidat e së ardhmes.

Këtë mision mund ta realizojmë vetëm nëse familja, shkolla, institucionet dhe komuniteti ecin në të njëjtin drejtim. DKA-ja do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunim dhe dialog me prindërit, mësimdhënësit, nxënësit dhe të gjithë partnerët e arsimit, sepse një sistem arsimor i fortë ndërtohet përmes besimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Të dashur nxënës,

Shkolla është vendi ku ëndrrat fillojnë të marrin formë. Lexoni, mësoni, pyetni, krijoni, bashkëpunoni dhe mos kini frikë të gaboni. Çdo ditë e re është një mundësi për të qenë më të mirë se dje.

Të dashur prindër,

Fëmijëve tuaj nuk u duhet vetëm suksesi në ditar. Ata kanë nevojë për kohën tuaj, vëmendjen tuaj, shembullin tuaj dhe besimin tuaj. Le të jemi të gjithë më afër tyre, sepse arsimimi i një fëmije është përgjegjësi e shkollës, ndërsa edukimi i tij është përgjegjësi e përbashkët e familjes dhe shoqërisë.

Le ta fillojmë këtë vit shkollor me një zotim të përbashkët: më shumë bashkëpunim, më shumë përgjegjësi, më shumë kujdes për fëmijët dhe më shumë besim në të ardhmen e tyre.

Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit, ju urojmë nxënësve, familjarëve, mësimdhënësve, drejtuesve të shkollave dhe gjithë komunitetit arsimor të Prizrenit:

Gëzuar dhe fillim të mbarë të vitit shkollor 2026/2027!

Qoftë ky një vit i dijes, i bashkëpunimit, i sukseseve dhe i hapave të rinj drejt një të ardhmeje më të mirë për fëmijët tanë./QendraPress/