Çaste poetike me poeten;-Adelina MINA

SHIKO PËRPARA

—————————-

Mos shiko pas, se pas mbetet nata,

Ku ëndrrat i tretën në heshtje vitet,

Mos zgjo nga humbjet dhimbjet e ngrata,

Kur para teje një portë hapet.

Shiko përpara, edhe kur dhemb shpirti,

Edhe kur rruga të pret me thika,

Kush mban një diell të ndezur në vend,

Është guximtar, s’trembet nga frika.

Mos numëro ata që ikën nga jeta,

As fjalët e ngrira që mbetën në buzë,

Disa ishin veç shi mbi dritaren e qetë,

Shpirtin lagën pak e humbën në udhë.

Ec, edhe nëse rruga të djeg,

Mbaje shpirtin si busull drejt agimit,

Njeriu s’humbet kur bie në gjunjë,

Por kur ia mbyll vetes derën e ngritjes.

Shiko përpara, nuk je arkiv humbjeje,

Ec, edhe kur zemra të çahet heshtur,

Çdo hap që hedh drejt dritës,

Është një betim se s’ke lindur për t’u dorëzuar.

Mos mbaj në kraharor gurë të vjetër,

As varre kujtimesh që s’kanë më jehon’

Lëre të shkuarën në pragun e tretur,

Se jeta të thërret: “Eja jeto!”

Shiko përpara, mos kërko më pas,

Se koha s’kthehet, as hap, as fjalë,

Çdo ditë që lind sjell një fillim të ri,

Dhe ti je ende zjarr, ende je gjallë.

/QendraPress/