Çaste poetike me poeten;-Emine Konushevci-DURMISHI

PËRTEJ BUZËQESHJES
—————————–
Nëse më sheh duke qeshur,
mos beso se ajo jam unë…
Jam vetëm një ëndërr
që do të doja të isha,
një hije e veshur me dritë,
që mundohet dritë të falë.
Nëse më sheh duke heshtur,
mos më pyet pse nuk flas.
Fjalët i kam mbyllur thellë,
aty ku as drita nuk guxon të hyjë,
të lidhura me pranga
në burgun e shpirtit tim.
Dhe kam aq shumë për të thënë,
sa ndonjëherë heshtja
ka peshën e njëmijë fjalëve.
Dhe nëse më sheh me lot në sy,
mos i merr për ligësi…
Ata vetëm gjetën rrugën
e një shpirti të lënduar.
E di?
Ka dhimbje
që nuk dinë të flasin.
E nëse, në errësirën e natës,
më sheh duke parë larg,
mos mendo se po kërkoj rrugën…
Jam duke kërkuar
atë version të vetvetes
që dikur besoja se do ta gjeja,
si në përrallat e kohës.
Unë jam ajo që nuk them,
ajo që buzëqesh me dhe pa lot.
Dhe kur lotët shihen,
atëherë jam më shumë unë.
Prandaj, nëse më sheh të qeshur,
mos u beso gjithmonë syve…
Sepse ndonjëherë
njeriu buzëqesh më bukur
pikërisht atëherë
kur brenda tij
loti dhe qeshja
bëhen një.
Emine Konushevci-Durmishi
/QendraPress/