Çaste poetike me poeten;-Majlinda PAJAJ

Ti je aty

——————–

Ti je aty,

nën butësinë e lëkurës,

si një luspë drite,

që lëmon dhe gërvish,

mendimet e orëve të vona,

si gjethe të fjetura,

nën shiun e kujtimeve.

Ti je aty,

në dhomën e heshtur,

ku aroma e parfumit tënd,

ende endet si një oaz,

në shkretëtirën e shpirtit,

mbi petkun e natës,

që s’di të më mbulojë.

Ti je aty,

në reshjet që pikojnë mbi xham,

në avullin e frymës që koha e la pezull,

mes një nate të zbehtë,

dhe një agimi,

që nuk mbërriti kurrë.

Ti je aty,

jo siç vjen dikush,

por siç mbetet një mungesë,

e padukshme,

e pashmangshme,

thellë nën lëkurë,

aty ku as koha,

nuk di të të fshijë.

/QendraPress/