Prizrenit i duhet një program Komunal, për Parandalimin e Sjelljeve Devijuese te të Miturit-Shkruan:-Mrs. Vlora KARAVIDAJ

A është e nevojshme që Komuna e Prizrenit të shqyrtojë krijimin e një Programi Komunal për Parandalimin e Sjelljeve Devijuese te të Miturit, duke marrë si referencë praktikat e Modelit Islandez të Parandalimit dhe duke i përshtatur ato me legjislacionin dhe realitetin lokal të Republikës së Kosovës?
Në qendër të programit duhet të jetë parimi: ” Më mirë të parandalojmë një të mitur që të hyjë në rrugën e devijimit, sesa të ndërhyjmë pasi ai të ketë kryer veprën.”
Qëllimi
Programi do të synonte krijimin e një mekanizmi të koordinuar ndërinstitucional për parandalimin e përfshirjes së fëmijëve dhe të miturve në sjellje devijuese, dhunë, përdorim të substancave, kriminalitet, braktisje të shkollimit dhe forma të tjera të rrezikut social.
Parimet e programit
Programi duhet të ketë për bazë:
Interesin më të mirë të fëmijës;
Parandalimin para ndëshkimit;
Përgjegjësinë e përbashkët të familjes dhe institucioneve;
Bashkëpunimin ndërinstitucional;
Identifikimin e hershëm të faktorëve të rrezikut;
Mbështetjen e fëmijëve në rrezik;
Përdorimin i të dhënave për përcaktimin e masave;
Respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të fëmijës.
Institucionet përgjegjëse
Në zbatimin e programit duhet të përfshihen:
Drejtoria Komunale e Arsimit;
– Policia e Kosovës;
– ️Qendra për Punë Sociale;
Drejtoria për Shëndetësi;
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport;
Institucionet edukativo-arsimore;
Këshillat e prindërve;
Organizatat rinore dhe sportive;
Organizatat e tjera relevante.
Në Kosovë tashmë ekziston baza institucionale për bashkëpunim në fushën e të drejtave të fëmijës, përfshirë Ekipin për të Drejtat e Fëmijës, të paraparë me Udhëzimin Administrativ (QRK) Nr. 06/2022.
Identifikimi i zonave dhe grupeve me rrezik të shtuar
Komuna, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, duhet të analizojë në mënyrë periodike: numrin e rasteve të dhunës në shkolla; incidentet e përfshirjes së të miturve në vepra penale; braktisjen dhe mungesat e shumta në shkollë; përdorimin e substancave; qëndrimin e të miturve në hapësira publike gjatë orëve të vona;
rastet e bullizmit dhe dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve; zonat ku raportohen më shumë incidente; faktorët familjarë, socialë dhe shkollorë të rrezikut.
Orari mbrojtës për të miturit – model për shqyrtim
Nëse analiza juridike dhe institucionale konstaton se ekziston bazë ligjore për një masë të tillë, mund të shqyrtohet modeli i mëposhtëm:
– Fëmijët deri në 12 vjeç të mos qëndrojnë në hapësira publike pas orës 20:00 pa shoqërimin e prindit/kujdestarit.
– Të miturit 13–16 vjeç të mos qëndrojnë në hapësira publike pas orës 22:00.
– Të miturit 17 vjeç tëë mos përfshihen në kufizim të njëjtë automatik, por të trajtohen në bazë të vlerësimit të rrezikut dhe legjislacionit në fuqi.
Përjashtimet
Orari mbrojtës nuk do të zbatohej për rastet kur i mituri: është duke u kthyer nga shkolla; merr pjesë në aktivitet sportiv;
merr pjesë në aktivitet kulturor; merr pjesë në aktivitet të organizuar rinor;
është në punë të lejuar sipas legjislacionit;
është i shoqëruar nga prindi ose kujdestari;
ndodhet në situatë emergjente; është duke udhëtuar për një arsye të ligjshme.
Ky parim është i ngjashëm me modelin islandez, ku ligji njeh përjashtim për të rinjtë që janë duke u kthyer nga aktivitete të njohura shkollore, sportive ose rinore.Ligji islandez për mbrojtjen e fëmijëve i vitit 2002 përfshinte kufizime të orarit për fëmijët 16 vjeç e më të rinj. Modeli islandez “youth curfew” / “juvenile curfew” është kufizim i orarit të daljes së të miturve në hapësira publike gjatë natës.
Roli i Policisë së Kosovës
Policia nuk do të trajtonte masën vetëm si çështje ndëshkuese.
Në rast të gjetjes së një të mituri në hapësirë publike gjatë orarit të kufizuar:
– identifikohet i mituri;
– vlerësohet nëse ekziston rrezik për sigurinë e tij;
– kontaktohet prindi/kujdestari;
– i mituri shoqërohet në mënyrë të sigurt te prindi/kujdestari, kur është e nevojshme;
– në rastet e përsëritura ose të rrezikut të lartë njoftohen institucionet sociale dhe shkollore;
– rastet e rënda trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.
Qëllimi nuk duhet të jetë penalizimi i fëmijës, por largimi i tij nga situata e rrezikut dhe aktivizimi i mekanizmave të mbrojtjes.
Roli i shkollës
Shkollat do të:
– identifikojnë nxënësit me faktorë të shtuar rreziku;
– forcojnë bashkëpunimin me prindërit;
– evidentojnë mungesat e pajustifikuara;
– zhvillojnë programe parandaluese;
– organizojnë aktivitete pas mësimit;
– bashkëpunojnë me QPS-në dhe Policinë kur është e nevojshme;
– referojnë rastet sipas procedurave ligjore.
Alternativa ndaj qëndrimit në rrugë
Kufizimi i orarit nuk duhet të jetë masa kryesore. Komuna duhet paralelisht të krijojë ose zgjerojë:
– klubet sportive;
– qendrat rinore;
– aktivitetet kulturore;
– kurset profesionale;
– aktivitetet e artit dhe muzikës;
– hapësirat e sigurta për të rinjtë;
– programe mentorimi;
– aktivitete pas mësimit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse një politikë parandaluese nuk duhet vetëm t’i largojë të miturit nga rruga, por t’u ofrojë një alternativë të sigurt dhe të dobishme.
Pyetësori vjetor për të rinjtë
Një herë në vit propozohet realizimi i një pyetësori anonim me nxënësit e klasave të përshtatshme, për të evidentuar: ku dhe me kë kalojnë kohën e lirë; në cilat ambiente ndihen të pasigurt; sa shpesh qëndrojnë jashtë gjatë natës; ekspozimin ndaj dhunës;
përdorimin e substancave; marrëdhëniet me prindërit; marrëdhëniet me shkollën;
pjesëmarrjen në sport dhe aktivitete; faktorët që i shtyjnë drejt sjelljeve problematike.
Faza e pilotimit
Zbatimi i një programi të tillë mund të realizohet në disa faza pilotimi, varësisht nga gjetjet paraprake.
Vlerësimi i suksesit
Programi do të vlerësohet përmes:
uljes së rasteve të përfshirjes së të miturve në incidente;
uljes së dhunës në shkolla;
️uljes së mungesave dhe braktisjes;
rritjes së pjesëmarrjes në sport dhe aktivitete;
️rritjes së bashkëpunimit prind–shkollë;
numrit të rasteve të identifikuara dhe trajtuara në kohë.
Çështja juridike
Para miratimit të çdo mase që kufizon orarin e qëndrimit të të miturve në hapësira publike, duhet të kërkohet vlerësim juridik nga institucionet kompetente në nivel qendror, për të përcaktuar bazën ligjore, kompetencën e komunës, mënyrën e zbatimit dhe përputhshmërinë me Kushtetutën dhe të drejtat e fëmijës.
Fëmijët tanë nuk kanë nevojë vetëm për postime që dënojnë atë që ka ndodhur; kanë nevojë për institucione që parandalojnë atë që mund të ndodhë.
Fjalët mund ta tregojnë shqetësimin por vetëm veprat dhe rezultatet mund ta ndryshojnë realitetin.