Fryma poetike e së dielës me poeten;-Natyra MAVRAJ

Ndoshta një ditë nuk do të jemi
———————————————
Ndoshta një ditë nuk do të jemi.
Vrapova si e humbur,
pa kohë, pa frikë,
në mijëra rrugë e qorrsokake,
vetëm për t’u hedhur
në përqafimin tonë.
Dashuri,
apo vetëm një fiksim?
E pastaj…
të nesërmen u bëmë të huaj,
duke ia lënë gjithçka
besës së së panjohurës.
Një ekuacion pa zgjidhje,
që as nuk lufton për zgjidhje…
A ishte barrë e rëndë
dashuria që të dhashë?
Apo…
unë isha veç një pjesë e vogël e jetës sate,
ndërsa ti
ishe e gjithë jeta ime.
A ta quaj ende dashuri?
Apo duhet ta quaj
frikën tënde nga dashuria?
Çdo premtim që më dhe,
se një ditë do të ecnim bashkë,
dorë për dore,
të përqafuar,
mbeti veç një ëndërr
që nuk pati kurrë guxim
të bëhej jetë.
Sot nuk di kujt t’i besoj:
fjalëve të tua,
që kanë filluar të kenë frikë
edhe nga vetja,
e tashmë heshtin…
apo premtimeve të lodhura,
të zbehura nga doza e padashurisë.
Dhemb shpirti.
Dhemb gjithçka.
Sepse dashuria,
nganjëherë,
të ndëshkon më rëndë
se çdo plagë.
Jo sepse është e pamundur.
Por sepse bëhet e pamundur
kur njëri ka frikë
ta jetojë.
Dashuria nuk njeh frikë.
Janë njerëzit
që kanë frikë prej saj.
E ata që e përbuzin dashurinë…
Zoti mos ua dhëntë kurrë.
/QendraPress/