Fryma poetike e së dielës me poetin;-Rizah RESHANI

MALLI PËR F0TOGRAFINË E NËNËS
(Më la njëvjeçar,pa vëlla,pa motër,
e s’ arrita ta njoh as përmes fotografisë)
———————————————–
Thonë se tërë ditën korre në arë
Pastaj në mëngjes më linde
Pa mami, pa mjek, pa maternitet
Të premtën e tretë të korrikut të nxehtë.
E ninananat mê të bukura m’i këndove
Sikur më i miri poet.
Bubullima dëgjohet larg, sikur më the.
Po shiun, biro, e sjellin retë.
E, me ujëvara fjalësh më bekove
Po unë bebe, s’merrja vesh.
Në djepin e drunjtë herë qaja, herë qeshja
Si valët e jetës midis nesh.
E ike pastaj, siç ikë drita në muzg.
Kaltërsinë qiellore ma nxive me re.
Ike në stinën e pranverës se jetës
Ah, Nënë, ike, nuse e re!
Një vëlla të ma kishe lënë
Bukën kallamoçe ta ndanin përgjysmë
Një motër për morte e ditë gëzimi.
Ta merrja me kalë si Doruntinën, Konstandini.
Një fotografi të ma kishe lënë, kujtim
Ta puthja, siç puthë shiu gurët në rrugë
Në gji ta mbaja, kornizë në mur, si dritë.
Si ujë kroi, të më freskonte mushkëritë.
/QendraPress/