Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Enver SAHTI

Vendlindja ime

———————-

Në flladin e këtij mëngjesi

me freskinë e butë të majit,

vështroj tej horizontit të hapur,

përtej fushës, gjer te rrjedha e lumit.

Një bukuri e qetë, e dlirë,

që vetëm këtu merr frymë,

te ti, o vendlindja ime,

që edhe në ëndrra më vjen si dritë.

Në cicërimat e zogjve të hershëm,

që agimin e zgjojnë me këngë,

zemra ime gjen prehjen e humbur,

si në vitet e para të jetës.

Në shtigjet e mbushura me kujtime,

ku dikur hapat i lashë,

çdo gur më flet me mall të heshtur,

si një mik i vjetër që s’më harroi.

Era përkund arat e gjera,

me aromën e dheut të njomë,

dhe çdo frymë që marr në këtë tokë

më bëhet falje e bekuar e jetës.

O vendlindja ime e dashur,

sa thellë në shpirt më je ngulur,

edhe kur larg më tret rruga e jetës,

ti më ndjek si hije e dritëruar.

Si një dritë që s’venitet kurrë

në thellësi të kësaj zemre,

ti mbetesh vargu më i bukur,

që nuk e zbeh as koha, as harresa.

/QendraPress/