Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Urim MEZINI

URIA
———————
Uria, zbathur ecën, si hije pa zhurmë,
gjen një cep të lodhur, ulet e pushon.
Me sytë e lagur bën një sy gjumë,
a kotet pa u shtrirë, derisa vesa e zgjon.
Pak bukë kërkon ajo e pakëz ngrohtësi,
një dorë të zgjatur t’i japë pak shpresë,
që për një moment të mos ndihet uri,
e llambën e shpirtit në atë çast ta ndezë.
Dhe sa më shumë të kalojë koha,
uria mësohet, përpiqet të mos qajë.
pasi e ka kuptuar sa e ftohtë është bota,
dhe se lotët s’e mbushin boshësinë e saj.
Kur bota mes tingujve e ngjyrave feston,
uria, trupin me errësirë e mbështjell.
Stomaku bosh nga dhembjet e mundon,
derisa ëndrrat i treten larg nëpër terr.
/QendraPress/