LIDHA E PRIZRENIT DHE FILOZOFIA E NJË ËNDRRE QË ENDE NUK KA MBARRUAR:-Shkruan;Gëzim AJGERAJ shkrimtar dhe analistë.

Në kujtim të 10 Qershorit 1878 dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
KUR HISTORIA BËHET DETYRË PËR BREZAT
Ekzistojnë dy lloje ngjarjesh që popullojnë kujtesën e njerëzimit. Disa ngjarje i përkasin kronologjisë linearisht, ato lindin, konsumohen në kohën e tyre, vdesin dhe shndërrohen në fosile arkivore që vetëm historianët i gërmojnë për të ushqyer kureshtjen akademike.
Por ekzistojnë edhe ngjarje që nuk i përkasin asnjë kohe specifike, pikërisht sepse fati i tyre është të jetojnë përtej çdo epoke. Ato thyejnë kufijtë e kohës kronologjike dhe instalohen në atë që mund ta quajmë koha ekzistenciale e një populli.
Këto ngjarje nuk janë fakte të thjeshta, ato bëhen pjesë e vetëdijes, nyje metafizike ku një komb rigjen arsyen e qenies së tij dhe busulla qenësore që tregojnë drejtimin e së ardhmes.
Për kombin shqiptar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk është thjesht një datë në kalendar, por është pika zero e vetëdijes moderne kombëtare.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, nën hijen e Sharrit dhe pranë rrjedhës së Lumbardhit, nuk u mblodhën thjesht delegatë, krerë fisesh, klerikë e intelektualë me veshje të ndryshme krahinore.
Atë ditë, në atë hapësirë gjeografike, u mblodh vetë Historia me të gjithë peshën e saj të rëndë. U mblodh dhimbja e akumuluar nëpër shekuj, kujtesa që refuzonte të dorëzohej dhe një shpresë që guxonte të sfidonte logjikën e kohës.
Ajo ditë ishte dëshmitare e mbledhjes së shekujve të tërë rezistence kundër amnezisë kolektive dhe harresës. Në atë çast dramatik, shqiptarët nuk po mbronin vetëm tokën si pronë private apo si hapësirë fizike; ata po mbronin diçka shumë më të thellë e të paprekshme: të drejtën metafizike për të qenë vetvetja, të drejtën për të pasur një emër në teatrin e botës.
Filozofi i madh gjerman, Georg Wilhelm Friedrich Hegel, në leksionet e tij mbi filozofinë e historisë, shkruante se historia botërore nuk është gjë tjetër veçse procesi dialektik përmes të cilit Fryma (Geist) e një populli bëhet e vetëdijshme për vetveten. Përpara se të arrihet kjo vetëdije, populli ekziston vetëm si një fakt biologjik apo gjeografik, si një “qenie në vete” (an sich), por jo ende si një “qenie për vete” (für sich). Në këtë kuptim reptësisht hegelian, Lidhja e Prizrenit ishte çasti i madh i thyerjes strukturore, ishte momenti kur Fryma Shqiptare doli nga gjendja e gjumit mesjetar, fshiu pluhurin e shekujve të nënshtrimit dhe filloi të fliste me zërin e saj të pavarur, jo më përmes zërave të të tjerëve, por me një gjuhë që artikulonte subjektivitetin e saj historik.
Përpara këtij momenti, territori arbëror kishte parë kryengritje të panumërta, kishte dëshmuar luftëra të përgjakshme dhe qëndresa mbinjerëzore nën udhëheqjen e figurave si Gjergj Kastrioti.
Megjithatë, ato lëvizje shpesh kishin mbetur të fragmentuara, të lokalizuara ose të kushtëzuara nga kontekste të ngushta feudale, fetare apo krahinore. Nuk ekzistonte ende një vetëdije e plotë, universale dhe e strukturuar kombëtare që kapërcente ndasitë e besimit apo të klaneve.
Në Prizren ndodhi mrekullia filozofike e transformimit të partikulares në universale. Shqiptarët, për herë të bëra bashkë, filluan ta kuptonin se nuk mjaftonte më të mbroje vetëm fshatin tënd, krahinën tënde apo interesat e një feje të caktuar. Ata kuptuan se ekzistenca e tyre e ardhme varej nga aftësia për të mbrojtur Totali-n, që ishte Kombi. Kështu, nga hiri i një perandorie në rënie, lindi ideja shqiptare moderne – si një projekt filozofik i lirisë dhe i vetëpërcaktimit.
KONGRESI I BERLINIT DHE TRAGJEDIA E KOMBEVE TË VOGLA, SPRECHVERBOT-I HISTORIK
Historia e kombeve të vogla shpesh nuk shkruhet me bojën e tyre, por me gjakun e tyre dhe me bojën e kombeve të mëdha. Kjo është një e vërtetë mizore që ka shoqëruar njerëzimin që nga antikiteti.
Në dialogun e famshëm të Tukididit midis athinasve dhe melianëve, athinasit shprehin hapur ligjin e egër të realizmit politik: “Të fortët bëjnë atë që munden, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë.”
Ky ligj i xhunglës gjeopolitike u shpërfaq në formën e tij më të pastër dhe më cinike në verën e vitit 1878 në Berlin.
Pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, Fuqitë e Mëdha të Evropës u mblodhën në Kongresin e Berlinit nën kryesimin e “Kancelarit të Hekurt”, Otto von Bismarck.
Qëllimi i tyre nuk ishte vendosja e drejtësisë, por vendosja e një ekuilibri të ri të forcave (Balance of Power), ku interesat strategjike të perandorive të mëdha të mos përplaseshin në mënyrë fatale. Mbi tavolinat e mbuluara me harta të gjelbra, diplomatët evropianë vizatonin kufij të rinj, copëtonin territore dhe shpërndanin popuj si të ishin thjesht monedha këmbimi apo asete pa shpirt.
Në këtë pazar të madh gjeopolitik, askush nuk pyeti për shqiptarët. Për Bismarkun, Shqipëria nuk ishte gjë tjetër veçse një “shprehje gjeografike”, një nocion abstrakt pa të drejta politike.
Kjo pasqyron në mënyrë të përsosur tragjedinë ekzistenciale të popujve të vegjël: shpesh ata nuk humbin sepse janë të dobët në fushëbetejë apo sepse u mungon virtyti, por sepse u mohohet e drejta e fjalës (një lloj Sprechverbot historik) aty ku merren vendimet që përcaktojnë fatin e tyre.
Ata dënohen të jenë objekte të historisë, kurrë subjekte të saj. Troje të tëra ku flitej shqip, ku varret e të parëve dhe djepërit e fëmijëve dëshmonin autoktoninë, rrezikonin t’u jepeshin si dhuratë kompensimi shteteve fqinje si Mali i Zi, Serbia dhe Greqia.
Ishte ky momenti dramatik kur kombi shqiptar ndodhej përballë një pyetjeje radikale ekzistenciale, e ngjashme me atë të Hamletit: – Të jesh apo të mos jesh? A do të mbijetonte ky popull si një subjekt i mëvetësishëm historik, apo do të shpërbëhej në provinca të harruara, duke u asimiluar nën makineritë shtetërore të fqinjëve dhe duke u zhdukur nga kujtesa e botës?
Përgjigjja ndaj kësaj tentative për asgjësim strukturor nuk erdhi nga zyrat e diplomacisë evropiane, por erdhi e fuqishme, si një bubullimë, nga Prizreni.
Ishte Abdyl Frashëri, mendimtari dhe udhëheqësi gjenial, ai që formuloi kushtetutën shpirtërore të asaj lëvizjeje me deklaratën e tij të pavdekshme:
“Shqipëria duhet të jetë e shqiptarëve dhe shqiptarët duhet të jenë zot të fateve të tyre.”
Kjo fjali nuk duhet lexuar thjesht si një kërkesë politike apo si një parullë agjitacioni e momentit. Ajo është, në thelb, një deklaratë e pastër filozofike mbi Lirinë dhe Autonominë.
Abdyl Frashëri, i ndikuar nga idetë e iluminizmit dhe të të drejtave natyrore të njeriut (të formuluara nga mendimtarë si John Locke dhe Jean-Jacques Rousseau), po deklaronte se sovraniteti nuk buron nga vullneti i një Sulltani të largët apo nga mëshira e Fuqive të Mëdha, por buron nga vetë ekzistenca e popullit mbi tokën e tij. Sepse liria, në kuptimin më të lartë filozofik, nuk është thjesht një gjendje negative, mungesa e prangave apo mungesa e pushtuesit (ajo që Isaiah Berlin e quan “liri negative”). Liria e vërtetë është “liri pozitive”: ajo është aftësia, kapaciteti dhe guximi për të qenë autor i vetvetes, për të vendosur vetë për fatin tënd dhe për të shkruar historinë tënde me duart e tua.
LIDHJA SI AKT METAFIZIK, POHIMI I QENIES KUNDËR ASGJËSIMIT
Nëse mjaftohemi duke e parë Lidhjen e Prizrenit vetëm përmes thonjëzave të ngushta të një organizate politiko-ushtarake, ne rrezikojmë të humbasim dimensionin e saj më të rëndësishëm.
Ajo nuk ishte thjesht një koalicion mbrojtës apo një komitet emergjence. Ajo ishte diçka pafundësisht më e madhe: ajo ishte një akt metafizik.
Në traditën e madhe filozofike të Perëndimit, që nga Aristoteli e deri te Martin Heidegger, metafizika është ajo degë e dijes që merret me pyetjet themelore dhe radikale të ekzistencës, Çfarë është qenia? Pse ekziston diçka dhe jo më mirë asgjë? Kush jemi ne në thelb? Çfarë kuptimi ka qenia jonë në këtë botë?
Lidhja e Prizrenit, në rrafshin e historisë së ideve, po u përgjigjej pikërisht këtyre pyetjeve ekzistenciale. Përmes saj, shqiptarët po kryenin një akt të guximshëm të afirmimit ekzistencial.
Ata po deklaronin përpara mbarë botës se shqiptarët nuk janë një rastësi gjeografike, nuk janë thjesht një aksident i historisë apo një mbetje pa vlerë e perandorive që vijnë e shkojnë.
Ata po pohonin se nuk janë një popull pa identitet, një masë amorfe e destinuar për t’u shkrirë në projektet kombëtare të të tjerëve. Ata janë një Qenie Historike legjitime, me një gjuhë unike, me një kulturë të veçantë dhe, mbi të gjitha, me një të drejtë të patjetërsueshme për të ekzistuar si një tërësi e pavarur.
Ky reflektim gjeti formulimin e tij më të lartë teorik në veprën monumentale të Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Ky titull, i cili në pamje të parë duket si një ndarje e thjeshtë kohore, në të vërtetë fsheh një strukturë të thellë filozofike.
Ai përkon me trefishtësinë e kohës ekzistenciale (e kaluara, e pranishmja dhe e ardhmja) që përbën thelbin e vetëdijes njerëzore. Sami Frashëri nuk shkruan thjesht një traktat politik apo një udhërrëfyes administrativ, ai ndërton një filozofi të tërë të fatit historik të një kombi.
Sipas Samiut, kombi nuk mund të reduktohet asnjëherë në terma thjesht materialistë apo biologjikë. Ai nuk është vetëm një bashkësi gjaku (racë) apo një copë territori e rrethuar me mure.
Kombi është, para së gjithash, një bashkësi shpirtërore, një bashkësi kujtese dhe shprese. E kaluara (“ç’ka qenë”) është depozita e kujtesës, e vuajtjeve dhe e lavdisë, e tashshmja (“ç’është”) është rreziku, kriza dhe nevoja për veprim të menjëhershëm, ndërsa e ardhmja (“ç’do të bëhet”) është projekti, ëndrra dhe ideali që duhet realizuar. Kjo ndërgjegje historike e tejkalon gjeografinë fizike.
Prandaj edhe sot, shqiptarët mund të jetojnë në shtete të ndryshme, të ndarë nga kufij politikë e administrative të vendosur nga padrejtësitë e historisë, por për sa kohë që ata ndajnë të njëjtën kujtesë dhe të njëjtën shpresë, ata mbeten pjesë e të njëjtit organizëm metafizik. Prizreni krijoi këtë matricë të pathyeshme të identitetit.
NAIM FRASHËRI DHE FILOZOFIA E SHPIRTIT SHQIPTAR, ESTETIKA SI MBROJTJE E EGZISTENCËS
Nëse Abdyl Frashëri ishte mendja politike, arkitekti strategjik dhe zëri diplomatik i Rilindjes Kombëtare, vëllai i tij, Naim Frashëri, ishte pa dyshim shpirti i saj, mistiku dhe poeti i saj i madh.
Naimi nuk luftoi nëpër llogore me armë në dorë, ai nuk mbajti fjalime në kongrese ndërkombëtare. Armët e tij ishin fjalët, vargjet, gjuha shqipe. Por, në rrafshin e ndërtimit të një kombi, vepra e tij kishte një peshë po aq të rëndë sa e shtënat e pushkëve.
Naim Frashëri e kuptonte me një qartësi të jashtëzakonshme një të vërtetë të thellë filozofike; asnjë komb nuk mund të mbijetojë gjatë në histori vetëm me forcën e armëve.
Pushka, trimi dhe ushtria mund të mbrojnë përkohësisht kufijtë fizikë të një territori, por ato janë të pafuqishme për të mbrojtur kufijtë shpirtërorë të një populli.
Nëse shpirti i një kombi vdes, nëse kultura e tij asimilohet dhe gjuha e tij harrohet, atëherë ai komb ka pushuar së ekzistuari, madje edhe nëse ka një shtet. Vetëm kultura, arti dhe gjuha mund të ndërtojnë atë që mund ta quajmë mbrojtje ontologjike, një mburojë të pathyeshme për identitetin.
Kur Naimi shkruante vargjet e tij të famshme:
“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar, Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”
ai nuk po bënte thjesht poezi romantike apo lirike atdhetare. Ai po krijonte diçka shumë më të rëndësishme: po ndërtonte metafizikën e dashurisë kombëtare.
Përmes një gjuhe të ndikuar nga panteizmi dhe mistika sufiste (veçanërisht bektashizmi), Naimi e hyjnizonte atdheun. Shqipëria në vargjet e tij nuk është thjesht një nocion gjeografik me male e lumenj, por është një qenie shpirtërore, një burim i hirit dhe i dritës divine.
Naimi po ndërtonte një urë të artë, ekzistenciale, midis individit dhe kombit. Ai po e kthente përkatësinë kombëtare nga një detyrim ligjor apo politik, në një përjetim shpirtëror dhe estetik.
Kombi, sipas Naimit, nuk ekziston kryesisht në harta apo në traktate; ai ekziston, para së gjithash, në zemrat e njerëzve, në gjuhën që ata flasin dhe në ëndrrat që ata guxojnë të shohin. Kur individi e gjen veten tek kombi dhe kombi te individi, atëherë ai popull bëhet i pavdekshëm.
SHTYPPJA E LIDHJES DHE PARADOKSI I HISTORISË, FITORJA E TRAGJIKES OVER MATERIALEN
Në vitin 1881, pas tre vitesh qëndrese heroike, Lidhja e Prizrenit u shtyp me egërsi ushtarake nga Perandoria Osmane. Sulltani dërgoi Dervish Pashën në krye të një ushtrie të madhe e të pajisur mirë për të shuar këtë vatër të rrezikshme të nacionalizmit shqiptar.
Udhëheqësit e Lidhjes u vranë, u burgosën ose u internuan në cepat më të largëta të perandorisë. Nga pikëpamja reptësisht ushtarake, materiale dhe politike e momentit, Lidhja e Prizrenit humbi. Ajo u thërrmua nën forcën e një makinerie shtetërore pafundësisht më të madhe.
Megjithatë, historia është e mbushur me paradokse të çuditshme e të mrekullueshme, të cilat i shpëtojnë logjikës së thjeshtë matematikore. Ekzistojnë fitore korruptive që korrosionojnë dhe vrasin shpirtin e popujve, duke i çuar ata drejt dekadencës, dhe ekzistojnë humbje tragjike që shndërrohen në pika ringjalljeje, duke u dhënë kombeve një forcë të re jetësore.
Lidhja e Prizrenit humbi betejën e saj fizike, por fitoi përjetësinë shpirtërore. Ajo u shndërrua nga një realitet politik në një Mit Themelues.
Filozofi i madh gjerman, Friedrich Niçe, ka shkruar një thënie që ka mbetur e gdhendur në mendimin modern: “Ajo që nuk më shkatërron, më bën më të fortë.” Ky parim i vullnetit për fuqi (Wille zur Macht) vlen jo vetëm për individët e jashtëzakonshëm, por edhe për kombet që refuzojnë të dorëzohen përpara vdekjes historike.
Shtypja fizike e Lidhjes nuk e asgjësoi idenë e saj, përkundrazi, ajo e sublimoi atë. Gjaku i dëshmorëve të Lidhjes së Prizrenit u bë kopshti ku do të mbilleshin farat e lirisë së ardhmes së atdheut.
Pas vitit 1881, ideja kombëtare shqiptare nuk u shua, por u bë më e fuqishme, më e rafinuar dhe më e përhapur se kurrë më parë. Ajo lëvizi nga fusha e betejës ushtarake në fushën e betejës kulturore e arsimore.
Shkollat shqipe, pavarësisht ndalimeve të rrepta, filluan të hapeshin si drita në errësirë (si Shkolla e Parë Shqipe në Korçë më 1887). Shoqëritë kulturore në mërgim (në Bukuresht, Stamboll, Kajro, Sofje) botuan gazeta, revista dhe libra në gjuhën amtare. Rilindja Kombëtare mori një hov të pandalshëm. Vetëdija kombëtare u shtri në shtresat më të gjera të popullsisë.
Prizreni nuk ishte më thjesht një qytet në hartë, ai ishte bërë tashmë një Simbol, një Ide, një Kod Gjenetik i rezistencës dhe i aspiratës për liri.
PAVARËSIA E VITIT 1912, REALIZIM APO KOMPROMIS TRAGJIK?
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, plaku i urtë Ismail Qemali ngriti flamurin e Skënderbeut, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Në atë çast solemn, ëndrra e madhe e Rilindjes Kombëtare dhe e ideologëve të Prizrenit dukej se po prekte më në fund tokën e realizmit politik. Shqiptarët po shkëputeshin përgjithmonë nga varreza e Perandorisë Osmane për të ndërtuar shtëpinë e tyre të pavarur evropiane.
Mirëpo, historia nuk jep kurrë fitore të plota e të pastra, ajo është gjithmonë fusha e kompromiseve të dhimbshme dhe e gjysmë-triumfeve. Shqipëria u njoh si shtet i pavarur nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), por ky shtet i ri lindi si një gjymtim tragjik. Pjesa më e madhe e trojeve shqiptare, duke përfshirë Kosovën, Çamërinë dhe vise të tjera të banuara kompaktësisht nga shqiptarët, mbetën jashtë kufijve zyrtarë të shtetit të ri.
Kombi u nda përgjysmë me një thikë të mprehtë gjeopolitike.
Kjo ndarje krijoi një plagë të thellë historike, psikologjike dhe ekzistenciale që do të dominonte dhe do të kushtëzonte gjithë zhvillimin e shekullit XX në Ballkan. Në filozofinë ekzistencialiste (veçanërisht te Jean-Paul Sartre), ekziston ideja se njeriu jeton vazhdimisht në një gjendje tensioni midis asaj që ai është aktualisht (gjendja faktike) dhe asaj që ai dëshiron dhe synon të bëhet (transcendenca).
Njeriu është gjithmonë i paplotë, një projekt që synon vetveten. E njëjta gjë, në një rrafsh kolektiv, ndodhi edhe me kombin shqiptar pas vitit 1912. Ai fitoi shtetin (një strukturë formale juridike), por nuk fitoi plotësisht vetveten (tërësinë e tij shpirtërore dhe territoriale).
Shqipëria e vitit 1912 ishte një realizim i cunguar i Idesë së Prizrenit, ajo ishte një kompromis midis dëshirës sonë për liri të plotë dhe vullnetit të fuqive të huaja për të na kufizuar.
KOSOVA, VAZHDIMI I IDEALIT TË LIDHJES SËPRIZRENIT DHE FILOZOFIA E DINJITETIT
Nëse kërkojmë vazhdimin e pastër, të pandërprerë dhe më besnik të frymës dhe të idealit të Lidhjes së Prizrenit gjatë shekullit XX, sytë tanë duhet të kthehen pashmangshmërisht nga Kosova.
E mbetur nën sundimin e egër të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (më vonë Jugosllavisë), Kosova nuk u dorëzua kurrë përpara fatit të saj të ri si një provincë e pushtuar. Ajo e shndërroi veten në një qendër të përhershme të rezistencës kombëtare.
Në këtë epope të gjatë qëndrese, shquhen figura të mëdha si Hasan Prishtina, një nga mendjet më të ndritura dhe më strategjike të lëvizjes kombëtare. Hasan Prishtina, një njeri me pasuri të madhe dhe me arsim të lartë perëndimor, shkriu gjithçka që kishte për idealin e lirisë.
Ai e kuptonte me një urtësi profetike se liria nuk është një dhuratë që fitohet një herë e përgjithmonë në histori dhe pastaj mund të ruhet pa sforcim. Liria është një proces i vazhdueshëm; ajo është një zjarr që duhet ushqyer me sakrifica brez pas brezi. Hasan Prishtina shkruante:
“Më mirë një kryengritje që nuk fiton, sesa një popull që pranon robërinë.”
Kjo fjali përmban në vete thelbin e asaj që mund ta quajmë Filozofia e Dinjitetit (apo Etika e Rezistencës). Në pamje të parë, nga pikëpamja e një utilitarizmi të ngushtë apo e një pragmatizmi materialist, ky pohim mund të duket irracional; Pse duhet të ngrihesh në një luftë që mund ta humbësh?
Por Hasan Prishtina po fliste nga një rrafsh shumë më i lartë moral. Një popull mund të humbasë luftëra ushtarake, mund të humbasë territore, mund të pësojë disfata ekonomike, dhe përsëri të mbijetojë nëse shpirti i tij mbetet i lirë.
Por në momentin kur një popull pranon padrejtësinë si fatin e tij të pashmangshëm, në momentin kur ai gjunjëzohet shpirtërisht dhe mësohet me prangat, ai fillon të humbasë vetveten, ai pëson një vdekje ontologjike. Rezistenca, madje edhe ajo që duket e pashpresë, është akti përmes të cilit njeriu dhe kombi pohojnë dinjitetin e tyre përballë brutalitetit të forcës.
ADEM DEMAÇI DHE ETIKA E REZISTENCËS; SOKRATI SHQIPTAR
Në shekullin XX, në historinë moderne të Kosovës, pak figura e kanë mishëruar, jetuar dhe personifikuar idealin e paepur të Prizrenit në mënyrë aq radikale dhe absolute sa Adem Demaçi.
I quajtur me të drejtë si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi kaloi plot 28 vite të jetës së tij nëpër burgjet më të egra të regjimit jugosllav. Rinija e tij, burrëria e tij dhe shëndeti i tij u mbyllën pas mureve të ftohta prej guri.
Megjithatë, burgjet dështuan në mënyrë spektakolare ta thyen apo ta përkulnin atë. Pse? Sepse Adem Demaçi nuk ishte thjesht një aktivist politik që luftonte për pushtet apo për interesa partiake.
Ai ishte një idealist metafizik. Ai besonte me një bindje të paluajtshme se liria është një vlerë absolute morale përpara se të jetë një realitet apo një strukturë politike. Liria, për Demaçin, ishte vetë thelbi i qenies njerëzore, pa të, njeriu reduktohej në një ekzistencë thjesht shtazore.
Në këtë qëndrim të tij ekstrem dhe të pastër, Adem Demaçi i afrohet në mënyrë të përsosur filozofisë së Sokratit të Athinës. Siç dihet nga dialogët e Platonit (Apologjia, Kritoni), Sokrati pranoi të pinte helmin dhe të vdiste, duke refuzuar mundësinë e arratisjes apo të kërkim-faljes, sepse për të, mohimi i së vërtetës dhe i parimeve të tij morale ishte pafundësisht më i keq se vdekja fizike.
Sokrati besonte se trupi mund të burgoset apo të shkatërrohet, por shpirti dhe e vërteta mbeten të paprekshme. Në mënyrë të ngjashme, Adem Demaçi pranoi burgun e gjatë, pranoi izolimin dhe vuajtjen, por refuzoi me këmbëngulje të mohonte të drejtën e popullit të tij për liri dhe vetëvendosje.
Ai u shndërrua në një institucion moral të gjallë. Prandaj, ai mbetet një figurë që kapërcen kufijtë e historisë politike për t’u instaluar në historinë e filozofisë ekzistenciale shqiptare: ai tregoi se njeriu i lirë është ai që nuk mund të burgoset në shpirt, pavarësisht se ku ndodhet trupi i tij.
ÇFARË ËSHTË REALIZUAR NGA IDEALI I PRIZRENIT?
BILANCI I NJË SHEKULLI
Kur kthejmë kokën pas dhe shikojmë rrugën e gjatë, të përgjakshme dhe të mundimshme që kombi shqiptar ka përshkuar që nga ai 10 qershor i largët i vitit 1878 e deri në ditët tona, nuk mund të mos ndiejmë një lloj admirimi dhe habie historike. Nëse delegatët e Lidhjes së Prizrenit do të mund të shihnin të ardhmen, ata do të mrekulloheshin me atë që është arritur, pavarësisht se profecitë e kohës së tyre parashikonin zhdukjen tonë.
Sot, në shekullin XXI, realiteti gjeopolitik i shqiptarëve ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore:
– Ekzistojnë dy shtete sovrane dhe të pavarura të banuara nga shqiptarët: Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme që thyen mallkimin e vitit 1912.
– Shqipëria është një vend anëtar me të drejta të plota në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake të planetit, duke garantuar kështu njëherë e përgjithmonë paprekshmërinë e kufijve të saj fizike.
– Kosova, pas një lufte heroike të UÇK-së dhe ndërhyrjes së botës demokratike, ka shpallur pavarësinë e saj dhe po ndërton institucionet e saj demokratike.
– Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në luginën e Preshevës gëzojnë më shumë liri politike, të drejta arsimore dhe përfaqësim institucional se në çdo periudhë tjetër të historisë së tyre, por se duhet dhe shum punë e sakrifica.
– Gjuha shqipe është e konsoliduar, e standardizuar dhe flitet lirshëm nëpër parlamentet e Ballkanit; kultura shqiptare, arti, letërsia dhe sporti ynë po bëhen çdo ditë e më shumë pjesë e skenës globale.
Në këtë aspekt pragmatik dhe institucional, mund të themi me plot gojë se shumë prej objektivave jetike dhe emergjente të Lidhjes së Prizrenit janë realizuar. Shqiptarët nuk janë më një “shprehje gjeografike” pa zë, ata janë aktorë gjeopolitikë të rëndësishëm në rajon. Por idealet e mëdha të historisë nuk mund të maten vetëm me numrin e institucioneve, me ngjyrat e flamujve apo me vizatimin e kufijve mbi hartë. Ato duhet të maten, në radhë të parë, me cilësinë e jetës njerëzore, me lirinë e brendshme të individit dhe me vlerat morale që udhëheqin atë shoqëri.
ÇFARË MBETET ENDE PËR T’U BËRË?
PROJEKTI I SHEKULLIT XXI-TË DHE LUFTA KUNDËR MEDIOKRITETIT
Nëse shekulli XIX dhe XX ishin epokat e mbrojtjes fizike, të çlirimit ushtarak dhe të krijimit të strukturave shtetërore, shekulli XXI na vendos përpara sfidave krejtësisht të reja, që kërkojnë një transformim rrënjësor të mendimit tonë.
Lidhja e Prizrenit në thelb kërkonte Bashkimin. Por sot, në një botë të globalizuar dhe të integruar, nocioni i bashkimit duhet të zhvishet nga interpretimet e vjetra e thjeshtëzuese dushmane dhe duhet të kuptohet në kuptimin e tij më të lartë, më modern dhe më filozofik.
Sot nuk bëhet fjalë më për të ndryshuar kufijtë me luftëra e rreziqe që mund të na kthejnë prapa. Bashkimi i vërtetë i shqiptarëve sot duhet të jetë:
– Bashkim i Dijes: Krijimi i një hapësire të përbashkët akademike, shkencore dhe intelektuale, ku truri shqiptar mund të komunikojë pa barrierat e provincializmit.
– Bashkim i Ekonomisë dhe Tregut: Ndërtimi i një tregu të përbashkët të fuqishëm, ku kapitali, idetë dhe produktet tona qarkullojnë lirisht, duke krijuar mirëqenie për të gjithë.
– Bashkim i Kulturës dhe Vizionit: Harmonizimi i strategjive tona afatgjata në politikën e jashtme, në arsim dhe në mbrojtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore përpara valëve të asimilimit global.
Armiku më i madh, më tinëzar dhe më i rrezikshëm i shqiptarëve sot nuk vjen më nga jashtë, ai nuk mban veshur uniformën e një ushtrie të huaj dhe nuk flet një gjuhë tjetër.
Armiku ynë i vërtetë është i brendshëm, ai fshihet brenda nesh. Ky armik quhet Mediokritet. Ai quhet Korrupsion, i cili gërryen besimin tek institucionet dhe shkatërron drejtësinë shoqërore. Ai quhet Harresë, humbja e lidhjes sonë shpirtërore me vlerat e larta të të parëve tanë.
Dhe pasoja më tragjike e kësaj gjendjeje është largimi masiv i rinisë, hemorragjia e trurit shqiptar që po zbraz qytetet dhe fshatrat tona nga energjia e tyre më e mirë. Kur rinia ikën sepse humb shpresën te meritokracia dhe te drejtësia, kombi pëson një lloj vetëvrasjeje të ngadalshme.
Nëse shekulli XIX kërkonte me ngulm mbrojtjen e territorit përmes ndërtimit të kalave dhe llogoreve, shekulli XXI kërkon me çdo kusht mbrojtjen e trurit shqiptar.
Kombet moderne dhe të suksesshme të ditëve tona nuk ndërtohen më me mure guri apo me mite të vjetra izolimi. Ato ndërtohen me universitete të klasit botëror, me laboratorë shkencorë, me sisteme të drejta gjyqësore, me inovacione teknologjike dhe me një kulturë të lartë të punës e të përgjegjësisë qytetare. Lufta jonë e re është lufta për cilësi, lufta për ekselencë, lufta për të qenë pjesë dinjiteti e familjes së madhe njerëzore.
PËR FUND: LIDHJA E PRIZRENIT SI DETYRË DHE AMANET NDËR BREZA
Prizrenit, në dritën e këtij reflektimi të gjatë filozofik, nuk mund të reduktohet kurrë thjesht në një qytet të bukur muzeal, në një destinacion turistik apo në një kapitull të mbyllur të historisë sonë kombëtare.
Prizreni është një Ide e gjallë. Ai është një koncept, një gjendje shpirtërore, një thirrje e vazhdueshme që vjen nga thellësitë e kohës për të na kujtuar se kush jemi dhe ku duhet të shkojmë.
Ai është kujtesa e përhershme se Historia nuk është një proces i përfunduar, një libër i shkruar që thjesht duhet lexuar. Historia është një proces i hapur, një fushë betejë ku çdo brez duhet të shkruajë rreshtat e tij.
Prizreni na mëson se liria nuk është një pronë private që trashëgohet automatikisht nga prindërit tek fëmijët si një shtëpi apo si një tokë; liria është një vlerë ekzistenciale që duhet fituar, duhet merituar, duhet mbrojtur dhe duhet ri-pushtuar çdo ditë me punë, me dije dhe me integritet moral.
Kombi nuk është vetëm një e kaluar me të cilën mund të krenohemi nëpër festa, kombi është, mbi të gjitha, një përgjegjësi e madhe ndaj së ardhmes.
Nëse në vitin 1878, Abdyl Frashëri dhe rilindësit tanë të mëdhenj bënin pyetjen ekzistenciale; Si ta shpëtojmë kombin nga asgjësimi fizik dhe copëtimi gjeografik?, brezi ynë sot, në këtë fillim shekulli të ri, duhet të bëjë një pyetje tjetër po aq radikale: Si ta lartësojmë këtë komb? Si ta bëjmë atë një vend të jetueshëm, të drejtë, të ndritur dhe të respektuar nga e gjithë bota?
Nëse rilindësit luftuan me mbinjerëzore sakrifica për vetë Ekzistencën tonë, ne sot kemi për detyrë të luftojmë për Dinjitetin tonë.
Nëse ata patën fatin e vështirë por të lavdishëm për të ndërtuar themelet e shtëpisë sonë kombëtare, ne kemi detyrën historike për të ndërtuar Qytetërimin brenda kësaj shtëpie.
Dhe vetëm atëherë, kur shqiptari të jetë plotësisht i lirë në mendimin e tij (i çliruar nga dogmat dhe komplekset), i drejtë në veprimet e tij shoqërore, i ditur në shkencë e në dije, dhe i bashkuar në idealet e mëdha të humanizmit, vetëm atëherë mund të themi me plot gojë se rruga e gjatë dhe e ndritur e nisur më 10 qershor 1878 në Prizren ka gjetur përmbushjen dhe tisin e saj të plotë.
Deri atëherë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk mbetet thjesht një datë komemorative në librat tanë.
Ajo mbetet një Amanet i madh ekzistencial, një ëndërr e bukur që ende nuk ka mbaruar, dhe një detyrë që pret të përmbushet nga secili prej nesh.
Prizren, 10 Qershor 2026/QendraPress/